Kalo te përmbajtja

Vëllai Mark Sanderson duke folur gjatë programit special në Varshavë, Poloni

3 MAJ 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE

«Mbajini sytë te marrëdhënia juaj me Jehovain»

Programi special u jep forcë vëllezërve në Ukrainë dhe në Poloni

«Mbajini sytë te marrëdhënia juaj me Jehovain»

Më 26 prill 2022, vëllai Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, shkoi në Poloni për t’u dhënë zemër vëllezërve e motrave që janë prekur nga lufta në Ukrainë.

Vëllezërit duke punuar në prapaskenë në Sallën e Asambleve, Poloni

Të gjitha kongregacionet në Poloni dhe në Ukrainë u ftuan të ndiqnin një program special më datë 30 prill 2022. Refugjatët ukrainas dhe vullnetarët që po ndihmojnë në rastin e kësaj katastrofe, ishin ndër të ftuarit që ndoqën programin në Sallën e Asambleve në Varshavë, Poloni. Bashkë me ata që ishin lidhur me videokonferencë, programin e ndoqën gjithsej mbi 250.000 veta në Poloni dhe në Ukrainë.

Vëllai Sanderson tha: «Vëllezërve dhe motrave anekënd botës u rri mendja te ju dhe luten për ju. Në selinë botërore çdo ditë bëhen lutje për vëllezërit e motrat në Rusi dhe në Ukrainë. Lutemi për ju edhe në mbledhjet e Trupit Udhëheqës.» Ai i dha siguri auditorit me këto fjalë: «Vështirësitë nuk do të thonë që keni humbur miratimin e Jehovait. Ai i ka sytë mbi ju, ju do dhe u qëndron pranë sidomos atyre që po kalojnë vështirësi.»

Një grup me motra e vëllezër të shpërngulur nga Mariupoli, Ukrainë, duke parë programin special

Më tej shtoi: «Mbajini sytë te marrëdhënia juaj me Jehovain. Synimi ynë nuk është që thjesht të mbijetojmë, por të dalim nga këto sprova me besim më të fortë dhe me një miqësi më të ngushtë me Jehovain. Këtë po na mëson Jehovai.»

Serhiji, një plak kongregacioni në Odesë, Ukrainë, tha: «Këto javët e fundit pothuajse nuk kam vënë gjumë në sy për shkak të ankthit, të pikëllimit dhe të pasigurisë. Mirëpo, [programi special] ma forcoi bindjen se Jehovai ka merak jo vetëm për popullin e tij si grup, por për secilin nga ne individualisht.»

Tatjana, një motër refugjate nga Kievi, Ukrainë, tregon: «Sot e kam ndier vërtet sa afër po më qëndron Jehovai. Ai po më përqafon dhe po më mbështjell me dashurinë e tij. Kudo që të jemi, Jehovain do ta kemi gjithnjë pranë.»

I duam me gjithë shpirt vëllezërit e motrat dhe jemi të sigurt se ky program special u ka rikujtuar ‘dashurinë besnike’ që ndien Jehovai për shërbëtorët e tij.—Psalmi 136:1.