Kalo te përmbajtja

Dmitri Dolzhikovi është Dëshmitari i 100-të i burgosur së fundmi me pretendimin se ka shkelur ligjin rus ngaqë merr pjesë në aktivitete të krishtere

28 TETOR 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE

Mbi 100 Dëshmitarë të burgosur në Rusi dhe në Krime

Mbi 100 Dëshmitarë të burgosur në Rusi dhe në Krime

Deri më 26 tetor 2022, në Rusi dhe në Krime ishin në burg ose në paraburgim për shkak të besimit 106 vëllezër dhe 4 motra. Vëlla Dmitri Dolzhikovi, 44 vjeç, që u burgos kohët e fundit, u bë Dëshmitari i 100-të që është në burg. Atë e arrestuan më 8 shtator 2022. E akuzuan për pjesëmarrje në veprimtaritë e një organizate ekstremiste, ngaqë ndiqte mbledhjet e krishtere dhe fliste me të tjerët për besimin e tij. Që nga ndalimi i vitit 2017, gati 350 Dëshmitarë kanë kaluar njëfarë kohe në burg.

Policia e arrestoi Dmitrin pasi i bastisi shtëpinë, në Rajonin e Çeljabinskut. Pas dy ditësh e dërguan në një qendër paraburgimi në Rajonin e Novosibirskut, rreth 1.500 kilometra larg shtëpisë.

Dmitri është në një qeli me 12 të burgosur të tjerë. Bashkëshorten, Marinën, nuk e lejojnë ta vizitojë Dmitrin, por mund të komunikojnë nëpërmjet letrave.

Marina shprehet: «Në fillim, kur e arrestuan, nuk flija mirë dhe zgjohesha shpesh gjatë natës. Miqtë e krishterë nga kongregacioni më ftuan të rrija me ta, dhe kjo ishte një ndihmë dhe mbështetje e madhe për mua.»

Marina thotë se «Jehovai po kujdeset për Dmitrin», ndaj është i qetë dhe pozitiv.

Marina dhe Dmitri Dolzhikovi

Vëllezërit dhe motrat janë akuzuar sipas Kodit Penal të Federatës Ruse në lidhje me veprimtaritë ekstremiste. Këtu futet edhe Ana Safronovi, 57 vjeçe, që po vuan dënimin me 6 vite burg. Ky është dënimi më i gjatë që i është dhënë një motre.

Arrestimi i Dmitrit është një moment tjetër historik i fushatës së turpshme të Rusisë kundër Dëshmitarëve të Jehovait, e cila po vazhdon prej më tepër se 5 vitesh, pavarësisht se organizata të shumta ndërkombëtare e kanë dënuar sa e sa herë përndjekjen ndaj tyre. Kur Gjykata e Lartë Ruse vendosi kundër Dëshmitarëve të Jehovait më 2017, autoritetet ruse pretenduan se do të mbyllnin entet ligjore të Dëshmitarëve, por nuk do të ndërhynin tek adhurimi i individëve Dëshmitarë. Megjithatë, për këtë të fundit nuk e mbajtën fjalën. Deri tani janë ngritur 308 çështje penale kundër gati 700 Dëshmitarëve të Jehovait. Përveç kësaj, janë bastisur 1.851 shtëpi të Dëshmitarëve.

Lutemi vazhdimisht për Dmitrin dhe për të gjithë vëllezërit e motrat që po përndiqen për shkak të besimit. E dimë se Jehovai do t’u japë gjithnjë forcën e nevojshme që të qëndrojnë besnikë.—Mateu 24:13.