11 TETOR 2019
LAJME NDËRKOMBËTARE
Mbledhja vjetore 2019—Përmbledhje
Të shtunën, më 5 tetor 2019 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania mbajti mbledhjen vjetore në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Njubërg, Nju-Jork, SHBA. Pas mbledhjes ligjore, Trupi Udhëheqës prezantoi një program besimforcues para 20.679 vetave, disa prej të cilëve e ndoqën drejtpërdrejt nga vende të tjera. Le të shohim një përmbledhje të çdo pjese. a
«Kreu juaj është një i vetëm, Krishti»
Vëlla Gerrit Lëshi, drejtuesi i programit, mbajti fjalimin hapës të bazuar te Mateu 23:10, që na kujton se kreu ynë është Jezu Krishti, jo ndonjë njeri.
Ndihmë nga Jehovai me anë të Shërbimit të Ndihmës
Vëlla Stivën Leti shpjegoi sa e rëndësishme është të japim me gëzim. Një nga mënyrat që e tregojmë bujarinë, është duke mbështetur shërbimin e ndihmës. Ai foli për dëmet që shkaktuan katastrofat natyrore dhe për ndihmën që u sigurua në vitet e shërbimit 2018 dhe 2019. Nga këto katastrofa u prekën mbi 900.000 vëllezër e motra. Gjithashtu u dëmtuan ose u shkatërruan më shumë se 700 Salla Mbretërie dhe 15.000 shtëpi të lajmëtarëve. Dëshmitarët e Jehovait harxhuan 49,5 milionë dollarë në këtë vepër.
Pjesa përfshin video të lajmëtarëve të prekur nga katastrofat, të cilët shprehin vlerësimin nga zemra për ndihmën që morën.
‘Dora e Perëndisë tonë është me ne . . . Le të ngrihemi e të ndërtojmë’ | Video
Kjo video shpjegon se Dëshmitarët e Jehovait kujdesen për gati 80.000 ndërtesa në të gjithë botën. Përveç kësaj, flet për metodat që përdoren për të mirëmbajtur, për të rinovuar dhe për të ndërtuar godinat teokratike.
Një vështrim historik mbi blerjen e pronave | Video
Videoja përmban intervista të nxjerra nga arkivat me vëllezërit Maks Larson, Xhorxh Kauç dhe Gilbert Nazarofin, të cilët në të kaluarën ndihmuan për zgjedhjen dhe blerjen e pronave për degën e Shteteve të Bashkuara dhe selinë botërore. Të tre treguan si e panë qartë dorën e Jehovait teksa përmbushnin këtë caktim.
Planifikohet një projekt ndërtimi i ri | Video
Kjo video njofton se Dëshmitarët e Jehovait po planifikojnë të ndërtojnë një kompleks në Ramapo, Nju-Jork, për të gjitha prodhimet mediatike. Prona ndodhet rreth 3 km larg selisë botërore në Uoruik, Nju-Jork. Synimi është që ndërtimi të fillojë në vitin 2022 dhe të mbarojë në dhjetor të 2026-s. Gjatë fazës më të vrullshme të ndërtimit do të duhen rreth 1.500 vullnetarë në ditë.
Aplikacion i ri për procedimin e kërkesave | Video
Videoja shpjegon se, duke filluar nga janari i vitit 2020, lajmëtarët që duan të zgjerojnë shërbimin, do të kenë mundësi të plotësojnë kërkesën në jw.org dhe t’ia dërgojnë trupit të pleqve për ta shqyrtuar.
Mënyrë e re për të dëgjuar materialet audio në JW.ORG
Materialet audio në jw.org tani mund të dëgjohen nëpërmjet Amazon Alexa ose Google Assistant.
Sulm nga veriu
Vëlla Dejvid Splejni qartësoi kuptueshmërinë tonë për profecinë e regjistruar te kapitulli i dytë i Joelit, që flet për një mori karkalecash. Mezi presim të shqyrtojmë kuptueshmërinë e re kur të dalë në Kullën e Rojës.
Studio Biblën me Biblën për studim
Vëlla Samuel Hërdi foli për dobitë e botimit online Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re (Botimi për studim, anglisht). Pastaj prezantoi po këtë Bibël, nga Mateu deri te Veprat, në format të shtypur. Lajmëtarët mund të kërkojnë një kopje nëpërmjet kongregacionit.
Kemi mjaft punë për të bërë!
Vëlla Entoni Morisi theksoi se, për të krishterët e vërtetë, gjëja më e rëndësishme është predikimi i lajmit të mirë. Godinat teokratike mbështetin Trupin Udhëheqës që të organizojë veprën e predikimit dhe të sigurojë ushqim besimforcues për popullin e Jehovait. Ai citoi fjalët rrëqethëse nga Kulla e Rojës, 15 nëntor 1976: «Kur të vijë ‘shtrëngimi i madh’, vepra e predikimit në mbarë botën duhet të jetë në kulmin e saj. Ardhja e Zotërisë Jezu për të ekzekutuar gjykimin do të jetë krejt e papritur, madje edhe për popullin e Jehovait. Me siguri ata do të jenë të zënë më shumë se kurrë duke bërë vullnetin e Tij!»
S’kemi pse të frikësohemi
Vëlla Mark Sandersoni tha se pritet që popullin e Perëndisë ta urrejnë «të gjitha kombet», siç profetizoi Jezui. (Mateu 24:9) Gjithsesi na nxiti t’i frikësohemi Jehovait, jo njerëzve.—Psalmi 111:10.
U prezantua edhe një video prekëse me vëllezër e motra të përndjekur në Rusi, që tregojnë si e përballuan frikën nga përndjekjet. Fjalimi dhe videoja inkurajojnë popullin e Jehovait të zhvillojë të njëjtin qëndrim.
A jeni plotësisht të kthjellët?
Vëlla Xhefri Xheksoni shqyrtoi disa vargje nga Shkrimet e Krishtere Greke ku përdoret një term që në gjuhën origjinale do të thotë «esëll». Gjithashtu, ai vuri në dukje sa e rëndësishme është ‘të ruajmë plotësisht gjykimin’ (fjalë për fjalë «të jesh plotësisht i kthjellët») gjatë këtyre ditëve të fundit.—1 Pjetrit 1:13.
A do të kujdesesh për të?
Vëlla Keneth Kuk prezantoi shkrimin e vitit për 2020-n, Mateun 28:19: «Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i pagëzuar.» Ai theksoi sa e domosdoshme është të ndihmojmë ata që duan të jenë miq me Jehovain, t’i kushtohen Atij dhe të pagëzohen.
Programe besimforcuese si mbledhja vjetore, na motivojnë të përpiqemi me gjithë shpirt në shërbim të Jehovait.
a Programi i plotë i mbledhjes vjetore do të dalë në jw.org në janar të 2020-s.