Kalo te përmbajtja

31 GUSHT 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Ngjarje të rëndësishme nga viti i shërbimit 2020

Ngjarje të rëndësishme nga viti i shërbimit 2020

Viti i shërbimit 2020 solli vështirësi unike për veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Ama, këto vështirësi nxorën në pah edhe vendosmërinë e motrave e të vëllezërve për të ruajtur besnikërinë dhe unitetin.

Sfida kryesore erdhi si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila solli probleme globale që s’i kemi parë prej dekadash.

Dëshmitarët e Jehovait reaguan shpejt ndaj pandemisë. Gjetën mënyra të reja për të adhuruar Perëndinë së bashku, për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit dhe për të predikuar lajmin e mirë.

Ja disa lajme të rëndësishme nga ky vit i paharrueshëm.—Proverbat 15:30.

Prezantimet e Biblës në gjuhë të ndryshme

Gjatë vitit të shërbimit organizata jonë ka prezantuar Shkrimet e Shenjta—Përkthimin Bota e Re të plotë ose pjesërisht në 36 gjuhë. Për shkak të kufizimeve nga COVID-19, shumë nga këto Bibla u prezantuan në format elektronik gjatë mbledhjeve online. Tani Përkthimi Bota e Re disponohet i plotë ose pjesërisht në 193 gjuhë.

Raportet nga Trupi Udhëheqës

Duke filluar nga 18 marsi 2020, anëtarët e Trupit Udhëheqës kanë prezantuar çdo muaj një raport special lidhur me pandeminë, që ka dalë në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Në raportin e parë, vëllai Stivën Let tha se, edhe pse pandemia është stresuese, ajo po e bën më të qartë se kurrë se «po jetojmë tamam në pjesën e fundit të pjesës së fundit të ditëve të fundit. Po, edhe pak na ndan nga dita e fundit e ditëve të fundit».

Jetojmë në kohë shumë të pasigurta, por, siç tha vëllai Let: «Ne si populli i Jehovait, nuk duhet të na zërë paniku.»

Secila video ka edhe raporte inkurajuese nga e gjithë bota. Ato tregojnë qartë sa e mençur është t’ia vëmë veshin drejtimit të Trupit Udhëheqës. Në shumë raste, zyrtarët e kanë lavdëruar organizatën tonë për reagimin e menjëhershëm dhe të mençur ndaj pandemisë.

Një Përkujtim si asnjëherë më parë

Për dekada me radhë, populli i Jehovait është mbledhur çdo vit për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Sivjet në shumë vende grumbullimet nuk këshilloheshin ose nuk lejoheshin. Kështu, të gjithë, individë a familje, i siguruan vetë simbolet e Përkujtimit dhe e ndoqën fjalimin e Përkujtimit nëpërmjet videokonferencës.

Në disa zona, për shembull në 11 degë të Afrikës, lidhja me videokonferencë ishte e pamundur. Këto degë morën masa që programi i Përkujtimit të transmetohej në stacione televizive dhe radiofonike. Falë kësaj, programin e ndoqën më shumë se 407.000 lajmëtarë dhe një numër i papërcaktuar të interesuarish.

Mbledhjet transmetohen në televizor dhe radio

Trupi Udhëheqës u dha miratimin disa degëve që t’i transmetonin edhe mbledhjet e kongregacionit në televizor e radio, siç kishin bërë me programin e Përkujtimit. Në këtë mënyrë, lajmëtarët që jetojnë në vende me pak të ardhura, kanë pasur mundësinë të ndjekin mbledhjet javore në radio ose televizor. Deri më tani, këtë metodë e kanë përdorur gjithsej 23 degë në Afrikë, Evropë, Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut.

Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash

Për shkak të pandemisë COVID-19, shumë nga motrat e vëllezërit tanë e kanë të vështirë të sigurojnë gjërat e domosdoshme. Prandaj, në gjithë botën janë ngritur mbi 400 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash që të ndihmojnë me gjërat bazë ata lajmëtarë, nevojat e të cilëve nuk plotësohen dot në vend. Gjatë vitit të shërbimit 2020, Trupi Udhëheqës ka miratuar një fond prej mbi 18 milionë dollarësh për të ndihmuar më se 330.000 lajmëtarë gjatë pandemisë COVID-19.

Kongrese online

Për herë të parë, programi i kongresit rajonal u transmetua nëpërmjet internetit. Të gjitha pjesët e kongresit i mbajtën anëtarët e Trupit Udhëheqës dhe ndihmësit e tyre. Ato u regjistruan paraprakisht dhe u përkthyen në mbi 500 gjuhë. Programi i kongresit u publikua në jw.org dhe në aplikacionin JW Library për lajmëtarët e të interesuarit që mund ta ndiqnin të sigurt nga shtëpitë e tyre.

Përndjekja vazhdon

Përveç pandemisë, vëllezërit e motrat në vende të ndryshme po përballen edhe me përndjekje gjithnjë e më të ashpra.

Në Rusi, gjatë vitit të kaluar qindra Dëshmitarëve u kanë bastisur shtëpinë dhe i kanë arrestuar në mënyrë të paligjshme. Në këtë moment, 42 vëllezër e motra janë në burg në Rusi dhe 2 të tjerë në Krime. Që nga vendimi i vitit 2017 i Gjykatës së Lartë Ruse, autoritetet kanë bastisur mbi 1.000 shtëpi të Dëshmitarëve.

Eritreja ka numrin më të madh të të burgosurve Dëshmitarë: 52 motra e vëllezër. Ndër të burgosurit janë Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarijami, të cilët po vuajnë dënimin që nga 17 shtatori 1994, vetëm ngaqë nuk kanë pranuar të kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. 26 motra e vëllezër të tjerë janë në burg nga më shumë se 10 vjet.

Vazhdojmë të lutemi për të gjithë ata që janë në burgje, që të mos e humbin guximin. Jemi të sigurt se po qëndrojnë besnikë përballë kësaj sprove.—Zbulesa 2:10.

Qëndrojnë me besnikëri

Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, Dëshmitarët në gjithë botën e kanë treguar besnikërinë ndaj Jehovait duke marrë pjesë në forma shërbimi të ndryshme, duke gjetur mënyra të reja për të inkurajuar njëri-tjetrin dhe duke iu bindur me kujdes drejtimit të Trupit Udhëheqës dhe të autoriteteve shtetërore.

Në gjithë sa kanë bërë për të treguar përkushtimin e tyre ndaj Perëndisë, vëllezërit e motrat kanë treguar dashurinë për Krijuesin. Veç kësaj, besnikëria do t’i ndihmojë të qëndrojnë përballë sprovave më të mëdha që na presin në të ardhmen.—Jakovi 1:2, 3.