Kalo te përmbajtja

Të diplomuarit e Galadit përshëndetin auditorin që ndjek programin streaming

20 MARS 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Një diplomim Galadi unik

Një diplomim Galadi unik

Diplomimi i klasës së 148-të të Shkollës Watchtower të Galadit ishte njësoj si të gjitha diplomimet e mëparshme, përveç një detaji: auditori ishte bosh. Ky program u transmetua streaming. Ngaqë jemi në mes të një krize globale shëndetësore, mënyra si u organizua ky program besimforcues tregon se si organizata i përshtatet ndryshimit të rrethanave.

Programi u mbajt më 14 mars 2020, në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Paterson, Nju-Jork. Vëlla Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, drejtoi programin ku u diplomuan 55 studentë. a

Disa javë para programit të diplomimit, lajmi për përhapjen e COVID-19 mbizotëronte në të gjitha mediat anembanë botës. Siç tregohet në Këndin e lajmeve në jw.org, selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait ka monitoruar situatën dhe u ka dhënë drejtim të gjitha kongregacioneve në përputhje me rekomandimet e autoriteteve.

Një prej rekomandimeve ishte që të kufizonin grumbullimet e mëdha. Duke pasur parasysh këtë dhe faktorë të tjerë, Trupi Udhëheqës vendosi që në këtë event auditori të ishte bosh. Familja Bethel dhe studentët e Galadit e zbatuan me rigorozitet këtë drejtim.—Gjoni 13:34, 35.

Gjithsesi, programi u transmetua streaming për të ftuarit e studentëve dhe për familjen Bethel. Kjo u dha mundësinë mbi 10.000 vëllezërve dhe motrave në gjithë botën, përfshirë familjen dhe miqtë e të diplomuarve, që të ndiqnin programin live.

Trupi Udhëheqës ka shumë dëshirë që programet teokratike, sidomos mbledhjet e kongregacionit të vazhdojnë të jenë pjesë e rregullt e adhurimit, pavarësisht nga pandemia e COVID-19. Ndaj, kohët e fundit, Trupi Udhëheqës u ka dhënë udhëzime specifike degëve nëpër botë se si të përshtatin mbledhjet e kongregacionit në bazë të kushteve në vend. Në disa raste kjo do të thotë se lajmëtarët duhet të mblidhen në grupe më të vogla ose të «mblidhen» nëpërmjet mjeteve elektronike me anë të video-konferencave. Jemi të sigurt se vëllazëria mbarëbotërore do të nxjerrë dobi nga ushqimi besimforcues, i cili nuk do të mungojë në kongregacion as në kohë të tilla.

Është e qartë se asgjë nuk e ndalon dot Jehovain që të ndihmojë organizatën e tij të kapërcejë çdo pengesë.—Psalmi 18:29.

a Programi i plotë i diplomimit të 148-të të Galadit do të dalë në sitin jw.org në qershor 2020.