Kalo te përmbajtja

Një konferencë për shtyp në Moskë më 1 prill 2021, kushtuar 70-vjetorit të internimit të Dëshmitarëve të Jehovait me tren për në Siberi

30 PRILL 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

PËRMBLEDHJE | Seri konferencash në Moldavi, Rusi dhe Ukrainë kushtuar 70-vjetorit të internimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Siberi

PËRMBLEDHJE | Seri konferencash në Moldavi, Rusi dhe Ukrainë kushtuar 70-vjetorit të internimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Siberi

Në Moldavi, Rusi dhe Ukrainë janë mbajtur një seri konferencash virtuale akademike dhe konferenca për shtyp kushtuar 70-vjetorit të Operacionit të Veriut, gjatë të cilit qeveria sovjetike internoi 9.793 Dëshmitarë të Jehovait në Siberi në vitin 1951.

Në disa prej këtyre eventeve, të pranishmit u ftuan të hynin në sitin 1951deport.org, kushtuar Operacionit të Veriut. Ky sit, i zhvilluar nga Dëshmitarët e Jehovait, disponohet në gjuhët angleze, ruse dhe ukrainase. Aty mund të gjeni plot informacione historike dhe shpjegime për internimin.

1 prill | Konferencë akademike në Moldavi

Dr. Lidia Paduriaku nga Universiteti Shtetëror Alecu Russo i Baltit, tha: «BRSS-ja internoi tërë ata njerëz në vitin 1951, për t’i ndëshkuar publikisht, me qëllim që të pengonte përhapjen e çdo ideologjie tjetër përveç komunizmit.»

Vëlla Viktor Dorniçenko (lart majtas) foli gjatë një konference virtuale të organizuar nga 3 institute akademike në Moldavi më 1 prill 2021

Prapëseprapë, sipas dr. Nikolaj Fusteit, studiues për Institutin e Historisë, «operacioni i Veriut nuk ia arriti qëllimit. . . . Organizata e Dëshmitarëve të Jehovait nuk u shkatërrua dhe pjesëtarët e saj nuk pushuan së foluri për besimin e tyre, përkundrazi filluan të predikonin edhe me më shumë guxim».

Dr. Virgjilu Birledjanu, studiues në Institutin e Historisë dhe drejtuesi i konferencës, komentoi për karakterin e mrekullueshëm të Dëshmitarëve të internuar, intervistat e të cilëve ishin pjesë e kërkimeve të tij. Ai tha: «Më mrekulloi optimizmi në sytë e tyre; nuk kishin asnjë gjurmë mërie për atë që kishin hequr nga Shteti Sovjetik.»

Vëlla Viktor Dorniçenko, që shërben në degën e Moldavisë, nxori në pah si po përsëritet historia e shtypjes sovjetike në Rusi. Ai pohon: «Mjerisht, nuk kanë nxjerrë mësim. Në verën e vitit 2017, pa asnjë bazë ligjore, Organizata fetare e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi e përbërë nga 175.000 veta, u ndalua. Paragjykimet dhe keqinformimi për adhurimin dhe bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait kanë bërë që ata të humbin të drejtat themelore të njeriut, të tilla, si e drejta e mendimit dhe e ndërgjegjes, si edhe lirinë fetare.»

1 prill | Konferencë për shtyp në Moskë

Siç është raportuar më parë, pesë studiues dhe ekspertë të të drejtave të njeriut, bashkë me vëlla Jaroslav Sivulskin, përfaqësues i Shoqatës Evropiane të Dëshmitarëve të Jehovait, folën para gazetarëve për Operacionin e Veriut dhe për përndjekjen që po ndodh aktualisht në Rusi. Konferenca u transmetua e plotë drejtpërsëdrejti online në anglisht dhe rusisht.

6 prill | Konferencë akademike e organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare Përkujtimore në Moskë

Siç është raportuar më parë, ky event u transmetua drejtpërsëdrejti online vetëm në rusisht.

8 prill | Konferencë akademike në Kiev

Katërmbëdhjetë studiues nga gjashtë shtete dhe vëlla Ivan Riheri nga dega e Ukrainës, mbajtën fjalime të shkurtra. Në kërkimet e tyre, disa studiues kishin përfshirë edhe intervista të hollësishme me të mbijetuar të internimit. Shikuesit panë fragmente nga këto video.

Dr. Tomash Bugaji, historian dhe studiues në Institutin e Shkencave në Universitetin e Silezisë në Poloni, pohoi: «Me gjithë kushtet e tmerrshme të jetesës dhe të punës, Dëshmitarët e Jehovait vazhduan të jetonin sipas normave të tyre morale dhe të praktikonin besimin e tyre. Madje as nuk u shkonte fare në mendje të bënin kompromis për kushte më të mira pune a jetese ose për ushqim.» Dr. Bugaji i quajti «fenomen» Dëshmitarët për faktin që nuk i ndryshuan bindjet e tyre dhe vazhduan të praktikonin besimin nën regjimin komunist.

Profesoreshë Ljudmilla Filipoviçi, zëvendëspresidente e Shoqatës së Studimeve Fetare në Ukrainë, shpjegoi se aktualisht Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë shpërndajnë literaturë të bazuar në Bibël në 36 gjuhë. Gjithashtu theksoi se vepra e tyre e predikimit nuk i sjell dobi vetëm komunitetit të Dëshmitarëve. Ajo thotë: «Dëshmitarët zgjidhin shumë nga problemet sociale që hasin ukrainasit.» Për shembull, ajo nxori në pah se Dëshmitarët flasin për Biblën edhe me ata që nuk dëgjojnë dhe që nuk shohin, për t’i bërë të ndihen pjesë e çmuar e shoqërisë.

Kjo konferencë u transmetua drejtpërsëdrejti online në gjuhët angleze, ruse dhe ukrainase.

9 prill | Konferencë për shtyp në Kiev

Profesoreshë Filipoviçi tha para shtypit: «Dëshmitarët e Jehovait treguan sa mirë mund të përshtaten me rrethana të ndryshme. Veç kësaj, ata i shndërruan vështirësitë në avantazhe dhe arritën t’i përhapnin më tej vlerat e tyre fetare. . . . Gjatë periudhës sovjetike, Dëshmitarët e Jehovait fituan respektin e njerëzve përreth për besnikërinë që tregonin ndaj parimeve të tyre.»

Profesor Igor Kozlovskij, president i një qendre kushtuar studimeve fetare në Ukrainë, pohoi: «Që të kuptojmë cilët jemi, duhet të kujtojmë të kaluarën tonë. . . . Ndaj duhet të flasim më shpesh për internimin e Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo ngjarje duhet të përfshihet në historinë e përgjithshme të Ukrainës.» Më tej, shtoi: «Është përgjegjësia e ekspertëve fetarë që të përpiqen të eliminojnë gjuhën e urrejtjes dhe mitet negative për Dëshmitarët e Jehovait dhe për komunitete të tjera fetare.»

Kjo konferencë u transmetua drejtpërsëdrejti online në gjuhët angleze dhe ukrainase.