Kalo te përmbajtja

12 PRILL 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE

Përkthimi Bota e Re tani edhe në 3 gjuhë të tjera në brail

Përkthimi Bota e Re tani edhe në 3 gjuhë të tjera në brail

Gjatë muajve të kaluar, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re u prezantuan në brail në tri gjuhë: gjermane, koreane dhe ukrainase. Dokumentet elektronike u vunë në dispozicion në jw.org. Dokumentet në brail në gjuhën koreane dhe ukrainase mund të përdoren me anë të pajisjeve portative të transkriptimit në brail, të quajtura notetakers. Kurse materialet në brail në gjuhën gjermane mund të përdoren me anë të programeve që e lexojnë me zë tekstin e shkruar në monitor.

Një vëlla korean lexon një material elektronik në brail me anë të një pajisjeje portative transkriptimi

Shpesh, personat që nuk shohin, i dëgjojnë botimet me audio ose përdorin notetakers. Megjithatë, shumë preferojnë edhe botimet e shtypura. Tashmë janë prodhuar vëllimet e para të shtypura të Biblës në gjermanisht dhe u janë dërguar lajmëtarëve. Botimi i shtypur në gjuhën koreane do t’u dërgohet lajmëtarëve në muajt vijues. Kurse shpërndarja e botimit të shtypur në gjuhën ukrainase është pezulluar për shkak të luftës në Ukrainë.

Procesi i prodhimit të Biblës në brail përfshin transkriptimin në brail të fjalëve të shkruara, ku futen edhe të gjitha referimet e Përkthimit Bota e Re. Mjetet figurative, si hartat dhe diagramet, duhet të konvertohen në një format që mund të kuptohet nga të verbrit.

Një motër e verbër që jeton në Gjermani, tha: «Kur lexoj në brail, i fiksoj më mirë gjërat. Është goxha më mirë se sa thjesht kur dëgjon materialin. Tani e dua dhe i besoj më shumë Jehovait.»

Lart majtas: një printer i veçantë që përdoret për të gdhendur në reliev pikat e sistemit brail në letër speciale. Në qendër: një motër duke lidhur një vëllim në brail. Djathtas: vëllimet e Biblës në brail po përgatiten për t’ua shpërndarë lajmëtarëve

Të gjitha Biblat në brail shtypen në Uollkill, Nju-Jork, SHBA, ku përdoret një printer i posaçëm. Kjo makineri gdhend në reliev pikat e sistemit brail në letra speciale, që më pas lidhen në vëllime dhe u dërgohen zyrave të degëve për t’ua shpërndarë lajmëtarëve. Botimi i plotë i Përkthimit Bota e Re mund të ketë më tepër se 30 vëllime dhe të zërë diku te 2 metra vend në raft.

Një nga transkriptuesit që punoi për botimin në gjuhën koreane, tha: «Kur mendojmë se kjo Bibël do të ndihmojë vëllezërit e motrat e verbër t’i afrohen Perëndisë Jehova dhe të gjejnë ngushëllim, na thellohet edhe më tepër mirënjohja për Të.»

Jemi të sigurt se Përkthimi Bota e Re në brail do të jetë mjaft i dobishëm për vëllezërit e motrat që nuk shohin, ndërsa Jehovai u jep ‘plot të mira’.—Psalmi 107:9.