Kalo te përmbajtja

16 PRILL 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2020—Afrikë

Programi transmetohet në televizion dhe radio

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2020—Afrikë

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit këtë vit ishte ndër më të veçantët në historinë tonë teokratike. Për herë të parë programi i Përkujtimit u transmetua në televizione e radio në disa gjuhë për shumë vende anekënd Afrikës.

Kështu programin e Përkujtimit e ndoqën mbi 407.000 Dëshmitarë dhe një numër i panjohur të interesuarish. Edhe pse nuk e dimë sa veta e ndoqën këtë program, ai u transmetua në një zonë me më shumë se 150 milionë banorë.

Për shkak të pandemisë COVID-19, pjesa më e madhe e njerëzve nëpër botë e ndoqën programin nëpërmjet videokonferencave. Mirëpo, në disa zona të Afrikës, Interneti dhe shërbimet telefonike kushtojnë shtrenjtë, prandaj lajmëtarët nuk kanë mundësi të ndjekin programe në streaming ose të shkarkojnë video. Ja pse Trupi Udhëheqës u dha leje disa degëve që të lidhnin kontrata me televizione lokale dhe kombëtare, si edhe me stacione radiofonike. Si rezultat këto degë arritën të transmetonin programin e Përkujtimit me një kosto shumë të arsyeshme.

Para Përkujtimit, 11 degë—Angola, Benini, Bregu i Fildishtë, Gana, Kameruni, Malavia, Mozambiku, Republika Demokratike e Kongos, Senegali, Zambia dhe Zimbabve—lidhën kontrata me kompani transmetimi dhe morën masa që fjalimi i Përkujtimit të transmetohej për publikun e gjerë në mbi 36 vende, në 16 shtete.

Angolë

Gjashtë stacione radiofonike pranuan ta transmetonin programin e Përkujtimit në gjashtë gjuhë: ibinde, kikongo, kimbundu, nianeke, portugeze dhe umbundu. Ato e transmetuan programin për disa nga zonat me popullsi më të dendur.

Republika Demokratike e Kongos

Një vajzë që studion Biblën, kishte planifikuar ta shihte vetëm programin e Përkujtimit, meqë familja i kundërshtonte Dëshmitarët e Jehovait. Por, ndërsa po bëhej gati të shihte fjalimin, i ati e thirri nga dhoma e ndenjjes: «Hajde se filloi!» Kur shkoi te dhoma e ndenjjes, u habit kur pa gjithë familjen gati për të ndjekur programin e Përkujtimit në televizor. Përkujtimin e ndoqën 10 veta nga familja e saj.

Në një fshat afër Luenës, dikush që s’është Dëshmitar, tha: «Pastori ynë nuk ka bërë asgjë. Kurse ju vazhdoni ta adhuroni Perëndinë, pavarësisht nga pandemia COVID-19. Do të bashkohemi me ju!»

Ganë

Një televizion kombëtar pranoi ta transmetonte programin e Përkujtimit në gjuhën tviane. Madje transmetoi edhe një reklamë ku i ftonte njerëzit të ndiqnin programin. Përveç Përkujtimit, stacioni shfaqi edhe videot Pse vdiq Jezui? dhe Pse i lejon Perëndia vuajtjet?, si edhe videot muzikore Në jetën e vërtetë! dhe Në prag është parajsa.

Senegal

Një motër tha: «Është e pabesueshme që njerëzit mësuan për Jehovain nëpërmjet televizionit dhe radios! Jemi shumë të bekuar e të lumtur. Ja ky është Jehovai, Perëndia ynë!»

Një motër tjetër u shpreh: «Kur dëgjova se fjalimi i Përkujtimit do të transmetohej në televizor, mendova: ‘Kështu njerëzit mund të ndjekin Përkujtimin, edhe pse nuk u dhamë dot ftesat për shkak të COVID-19.’ Menjëherë mora në telefon studimet, rivizitat dhe të gjithë të njohurit që s’janë Dëshmitarë që t’i njoftoja për programin. Nëntë nga studentet e mia të Biblës e ndoqën fjalimin bashkë me familjet. Një nga kushërinjtë që jeton në Zigankor e pa programin në televizor dhe donte të flitnim më shumë për këtë temë. Pranova me kënaqësi.»

Kjo masë e veçantë provon edhe një herë se me Jehovain «gjithçka është e mundur».—Mateu 19:26.