Kalo te përmbajtja

Familja Oh në Kore duke ndjekur Përkujtimin. Dy vajzat dhe babai (majtas) e ndjekin Përkujtimin nga shtëpia. Mamaja (djathtas), e shtruar në spital, po e ndjek Përkujtimin me videokonferencë

22 PRILL 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2020—Azi

Vëllezërit e motrat në Japoni dhe në Korenë e Jugut ndoqën programin, edhe pse të moshuar dhe me probleme shëndetësore

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2020—Azi

Për shkak të COVID-19, vëllezërit e motrat që janë në qendra mjekësore ose në shtëpi për të moshuarit e kishin shumë të vështirë të ndiqnin Përkujtimin. Në të shumtën e rasteve nuk largohen dot dhe as lejohen vizitorë. Pavarësisht nga këto pengesa, pleqtë vendës i ndihmuan të përkujtonin ngjarjen më të rëndësishme të vitit.

Koreja e Jugut

Në qytetin Naxhu, motrat Li Jom Sun dhe Kuon Ae Sun, 91 e 88 vjeçe, dhe një grua e interesuar 96 vjeçe, e kishin ndarë mendjen të ndiqnin Përkujtimin. Një nga mjekët në shtëpinë e të moshuarve, është Dëshmitar i Jehovait. Pasi ndoqi Përkujtimin nga shtëpia bashkë me kongregacionin, ai u kthye prapë te shtëpia e të moshuarve dhe ndihmoi motrat si dhe gruan e interesuar të ndiqnin programin e regjistruar për Përkujtimin në jw.org. Madje u kishte bërë gati edhe simbolet.

Në qytetin Uixhongbu, vëlla Çue Xhei Çol punon në një shtëpi të moshuarish ku jetojnë 14 vëllezër e motra. Pavarësisht nga pandemia, ai i ndihmoi këta vëllezër e motra si dhe të interesuarit që jetojnë atje, ta shihnin programin e Përkujtimit nga siti ynë. Disa nga të interesuarit që ndoqën programin, filluan të studionin Biblën.

Motër Kim Tae Sun është 59 vjeçe dhe jeton në Çonan. Ajo u diagnostikua me kancer para pesë vjetësh. Mirëpo, për shkak të dhembjeve të forta, kohët e fundit është shtruar në spital. Tae Sun është në një dhomë me motrën 69-vjeçare Kim Jong Mi, që ka një sëmundje të pashërueshme. Ato nuk dalin dot nga spitali gjatë pandemisë. Gjithsesi, pleqtë vendës i ndihmuan të ndiqnin Përkujtimin bashkë me kongregacionin nëpërmjet videokonferencës.

Të dyja shprehën mirënjohjen e thellë për pleqtë me anë të një letre ku komentonin: «Faleminderit që na ndihmuat ta ndiqnim Përkujtimin bashkë me kongregacionin, pavarësisht nga situata e COVID-19 dhe nga sëmundjet tona!»

Japoni

Motra 70-vjeçare Mieko Fuzhiuara, që jeton në prefekturën Mie, Japoni, ishte në spital. Meqë në spital nuk ka Internet, s’mund ta ndiqte Përkujtimin me kongregacionin nëpërmjet videokonferencës. Prandaj, pak ditë para Përkujtimit, një plak vendës me të shoqen ia dërguan te celulari fjalimin e regjistruar dhe ajo arriti ta shihte programin nga dhoma e spitalit.

Motra 102 vjeçe Juki Takeuçi jeton në një shtëpi të moshuarish në qytetin e Zamës, prefektura e Kanagavës. Para Përkujtimit, dhëndri me vajzën i dërguan bukën dhe verën në një paketim të vogël. Kështu mund të ndiqte Përkujtimin bashkë me ta nëpërmjet telefonit.

Dhëndri, vëlla Mimura, thotë: «Vjehrra ime është pagëzuar më 1954 dhe që atëherë ka qenë në çdo Përkujtim. Edhe pse ky Përkujtim ishte unik, ajo u kënaq jashtë mase që mori pjesë.»

Jemi të sigurt se Jehovai i ka vënë re përpjekjet e këtyre lajmëtarëve me probleme shëndetësore për të ndjekur Përkujtimin me ndihmën e pleqve vendës.—Hebrenjve 6:10.