Kalo te përmbajtja

21 PRILL 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2020—JW.ORG

Siti ynë zyrtar arrin shifrën më të lartë të klikimeve deri më sot

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2020—JW.ORG

Çdokush në botë po vuan për shkak të koronavirusit. Ndërkohë Dëshmitarët e Jehovait bënë përpjekje të veçanta për të ftuar sa më shumë veta në Përkujtim. Si rezultat është rritur numri i atyre që vizitojnë sitin jw.org që të inkurajohen nga Bibla dhe të përditësohen me situatën. Në mars numri i vizitorëve të sitit ishte mbi 50 për qind më shumë se në shkurt. Gjithashtu pati një maksimum kërkesash për të studiuar Biblën.

Kur nisi pandemia, filloi të rritej numri i atyre që klikonin sitin jw.org. Në shkurt sitin e vizituan rreth dy milionë veta në ditë, që është më se normale. Por, në mars ishin më shumë se tre milionë në ditë dhe ditët që dolën lajmet për koronavirusin, numri shkoi mbi katër milionë e gjysmë. Ndërsa më 7 prill, ditën e Përkujtimit për vitin 2020, sitin e vizituan mbi shtatë milionë veta, pjesa më e madhe e të cilëve panë programin special të adhurimit të mëngjesit dhe fjalimin e Përkujtimit.

Numri i vizitorëve: numri i vizitorëve të sitit jw.org është rritur tej mase gjatë pandemisë, duke arritur maksimumin ditën e Përkujtimit, me mbi shtatë milionë veta

Klajv Martini, mbikëqyrës i Repartit për programimin e MEPS-it pranë selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, tha: «Në këtë periudhë të vitit shumë veta vizitojnë sitin jw.org që të dinë vendin dhe orarin kur mbahet Përkujtimi. Këtë vit postuam në mbi 500 gjuhë fjalimin special dhe fjalimin e Përkujtimit për vitin 2020 meqë ata që donin të ndiqnin Përkujtimin, nuk mblidheshin dot për këtë rast. Këto fjalime janë parë ose shkarkuar miliona herë. Numri tejet i lartë i vizitorëve të sitit në këtë periudhë të krizës globale dëshmon qartë për rolin e rëndësishëm të sitit jw.org. Përmes tij gjejnë ngushëllim dhe udhëzime nga Bibla jo vetëm Dëshmitarët e Jehovait, por edhe shumë e shumë të tjerë.»

Shkarkime: numri i shkarkimeve të fjalimit special (portokalli) dhe i fjalimit të Përkujtimit (blu)

Nuk habitemi që shumica kërkojnë informacion për shëndetin dhe për parandalimin e sëmundjeve, ku futen edhe tema që lidhen me stresin e ankthin. Gjithashtu është rritur ndjeshëm numri i atyre që kërkojnë informacione nga Bibla për tema që lidhen me shenjën e ditëve të fundit dhe me katër kalorësit e kapitullit 6 të Zbulesës.

Një aspekt tjetër i jashtëzakonshëm që lidhet me numrin e vizitorëve të sitit janë kërkesat për të studiuar Biblën, që zakonisht janë rreth 250 në ditë. Gjatë marsit kishim rreth 350 kërkesa në ditë për të studiuar Biblën ose rreth 11.000 në muaj, pra 40 për qind më shumë. Ditën e Përkujtimit dhe ditën vijuese më tepër se 1.000 veta kërkuan të studionin Biblën.

Jezui tha se ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë do të jenë të lumtur. (Mateu 5:3) Na bëhet zemra mal që kaq shumë njerëz po kërkojnë ndihmë dhe inkurajim te Jehovai dhe tek organizata e tij në këto kohë tejet të vështira.—2 Korintasve 1:3, 4.