27 KORRIK 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE
Përmbytje të mëdha në Evropën Perëndimore
Nga 13-17 korrik 2021, për shkak të shirave të furishme, shumë lumenj në Belgjikë, Gjermani, Luksemburg e Holandë, dolën nga shtrati dhe sollën përmbytje shkatërrimtare, madje u morën jetën mjaft vetave. Akoma nuk e dimë me siguri sa dëme u shkaktuan. Përmbytja ishte ndër më shkatërrimtaret që kanë përjetuar këto vende gjatë një shekulli.
Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë
Asnjë nuk ka vdekur e as është plagosur rëndë
Janë evakuar të paktën 304 lajmëtarë
Rreth 100 shtëpi pësuan dëme të rënda
Të paktën 242 shtëpi u dëmtuan lehtë
U dëmtuan 11 Salla Mbretërie
Ndihma në rast katastrofash
U formuan 4 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK); 1 në Belgjikë, 2 për Gjermaninë e Luksemburgun dhe 1 në Holandë
Në këtë moment, KNRK-të po organizojnë punën për pastrimin dhe meremetimin. Pra po heqin ujin e baltën nga shtëpitë dhe po bëjnë disa riparime urgjente
Gjithashtu, KNRK-të dhe pleqtë vendës kanë siguruar strehim të përkohshëm e ujë të pijshëm për të evakuarit
Mbikëqyrësit udhëtues në këto zona po u japin zemër vëllezërve e motrave dhe po i inkurajojnë me mendime nga Bibla
Mbledhjet virtuale të kongregacionit nuk janë ndërprerë. Edhe anëtarët e Komiteteve të Degëve po i ngushëllojnë dhe po u japin zemër lajmëtarëve të prekur nga përmbytjet
E gjithë kjo po bëhet duke ndjekur udhëzimet për sigurinë për COVID-19
Pleqtë në një kongregacion në Holandë ndihmuan një motër të moshuar që të evakuohej. Më pas kontaktuan të birin, që nuk është Dëshmitar i Jehovait, për ta njoftuar se e ëma ishte e sigurt. Pas disa ditësh ai i tha së ëmës: «Ti bën pjesë në një fe të mrekullueshme! Ata kujdesen kaq mirë për ty!»
Një skuadër zjarrfikësish në Belgjikë kishte vëzhguar vëllezërit teksa ndihmonin. Ata i lavdëruan vëllezërit, sepse të gjithë po përdornin pajisjet e duhura mbrojtëse dhe ishin shumë të organizuar. Edhe një grup zjarrfikësish në Gjermani ishte mahnitur duke parë vëllezërit që po i ndiqnin me kujdes udhëzimet e zjarrfikësve. Një prej tyre komentoi: «Ah sikur të kishte një skuadër të tillë kudo!»
Vëllezërit dhe motrat e prekur nga kjo katastrofë i janë mirënjohës organizatës për ndihmën që morën. I janë mirënjohës edhe Trupit Udhëheqës që e inkurajon popullin e Jehovait të përgatitet për katastrofat. Dhe mbi të gjitha i janë mirënjohës Jehovait, që e bën popullin e tij «të jetojë i sigurt, pa frikë në zemër se mos i ndodh ndonjë e keqe».—Proverbat 1:33.