26 JANAR 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE
Përshkrimet audio ndihmojnë të verbrit dhe ata me vështirësi në shikim, të shijojnë më tepër kongresin
Për të tretin vit radhazi, kongresi ynë vjetor do të përmbajë përshkrime audio. Videot me përshkrime audio përfshijnë komente që shpjegojnë imazhet dhe skenat në video, të cilat ndihmojnë kryesisht të verbrit dhe ata me shikim të kufizuar. Vazhdimësia e prodhimit të përshkrimeve audio është pjesë e përpjekjeve të Dëshmitarëve të Jehovait, që ushqimi besimforcues nga Bibla të jetë në dispozicion të rreth 43 milionë njerëzve të verbër dhe të 295 milionë të tjerëve që shohin me vështirësi në mbarë botën.
Dr. Xhoel Snajderi, president i shoqatës Audio Description Associates, LLC dhe ekspert i njohur në fushën e përshkrimeve audio, u shpreh kështu për këto përpjekje: «Kam mbetur pa fjalë nga mënyra si Dëshmitarët e Jehovait e kanë bërë materialin të aksesueshëm për këtë kategori personash. Rrallëherë njerëzve u shkon mendja të përfshijnë përshkrime audio për videot, që të nxjerrin dobi dhe të verbrit. Prandaj, bravo u qoftë Dëshmitarëve të Jehovait!»
Kur Trupi Udhëheqës vendosi të mbante virtualisht kongresin vjetor të 2020-s për shkak të pandemisë, u vendos që të përfshiheshin edhe përshkrime audio. Më 2020 përshkrimet audio për kongresin i prodhoi Reparti për Mbështetjen e Përkthimit në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, SHBA. Kurse në vitin 2021, kjo punë i kaloi Repartit për Përpunimin e Tekstit në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork. Me anë të një seminari online, skuadra që punoi për përshkrimet audio, u trajnua si të prodhonte përshkrime sa më efikase.
Dr. Snajderi shpjegon se «njerëzit mund të trajnohen që të bëjnë përshkrime në mënyrë sa më efektive». Ai thotë se kjo përfshin «përdorimin e fjalëve të përmbledhura, të qarta dhe që nxitin imagjinatën».
Kur shqyrton një pjesë nga kongresi, skuadra e Dëshmitarëve në fillim dëgjon vetëm audion, pa videon. Kjo i ndihmon ta vënë veten në vend të personave që nuk shohin ose shohin me vështirësi. Më pas, çdo pjesëtar i skuadrës shkruan përshtypjet e para. Pastaj grupi e luan prapë videon dhe vë re pauzat ndërmjet dialogëve sepse aty do të shtojnë përshkrimet audio.
Të arrish të futësh përshkrimet midis dialogëve nuk është edhe aq kollaj. Majkëll Millëni, që punon me skuadrën e përshkrimeve audio të Dëshmitarëve të Jehovait, thotë: «Meqë koha është e kufizuar, duhet të vendosim cili është informacioni më i rëndësishëm që videoja të bëhet sa më e kuptueshme. Përpiqemi të përshkruajmë kohën, vendin, aktorët dhe veprimet.»
Skuadra e përshkrimit audio duhet të shmangë interpretimin e videos. Në librin e tij The Visual Made Verbal, dr. Snajderi këshillon audiopërshkruesit: «Lëruni hapësirë dëgjuesve të imagjinojnë skenat e videos duke bërë përshkrime sa më objektive të jetë e mundur. Pra, me pak fjalë, në vend që të thoni: ‘Atij i kanë hipur nervat’ ose ‘Ajo është e mërzitur’, thoni: ‘Ai po shtrëngon grushtin’ ose ‘Ajo po qan’.»
Pasi skuadra e përshkrimit audio mbaron së shkruari tekstin, një aktor regjistron përshkrimet audio përfundimtare. Aktori duhet të lexojë me zë sa më neutral. Majkëll Millëni shpjegon: «Ideja nuk është që aktori të imitojë personazhet në video. Nëse ai është tepër entuziast ose emocional, dëgjuesit mund të mendojnë se përshkruesi është thjesht një personazh tjetër në atë video.»
Një skuadër teknikësh prodhon versionin përfundimtar dhe pastaj krijohet një paketë me të gjitha materialet e nevojshme për përkthimin. Kjo paketë u dërgohet të gjitha degëve që të bëjnë përshkrimet audio në gjuhët e tyre. Majkëlli shpjegon se për 2 kongreset e fundit, për çdo minutë video të përshkruar skuadra ka bërë rreth 3 orë punë.
Aktualisht Dëshmitarët e Jehovait përkthejnë literaturë dhe botime të bazuara në Bibël në mbi 1.000 gjuhë. Megjithatë në këtë statistikë nuk janë të përfshira përshkrimet audio, që disa i konsiderojnë si gjuhë më vete. Majkëlli thotë: «Përshkrimet audio janë vërtet përkthim për të verbrit. Imazhet e një videoje përkthehen me zë.»
Sa mirënjohës jemi që Jehovai u jep mundësinë të gjithë njerëzve, që pavarësisht nga situata ku ndodhen, të nxjerrin dobi nga bollëku i ushqimit besimforcues!—Isaia 65:13.