10 KORRIK 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE
Prezantohet Përkthimi Bota e Re në 6 gjuhë të tjera
Për të dytën fundjavë radhazi, Dëshmitarët e Jehovait prezantuan 6 Bibla të tjera. Më 4 korrik 2020, u prezantua Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën bislame dhe oromo. Të nesërmen, më 5 korrik, Përkthimi Bota e Re u prezantua në letonisht dhe marate, dhe Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re u prezantua në gjuhën bengale dhe karene (sgo). Biblat u vunë në dispozicion në format elektronik gjatë fjalimeve të regjistruara. Lajmëtarët i ndoqën këto programe speciale në mënyrë elektronike dhe u entuziazmuan për këto dhurata nga Jehovai.
Bislame
Vëlla Mark Slegeri, anëtar i Komitetit të Degës në Fixhi, prezantoi në gjuhën bislame rishikimin e Përkthimit Bota e Re. Lajmëtarët në Vanuatu u lidhën me programin, i cili u prezantua në gjuhën bislame dhe u interpretua në gjuhën bislame të shenjave.
Dy skuadra përkthimi punuan për më shumë se 3 vjet për përkthimin e Biblës. Një përkthyese tha: «Vëllezërit e motrat do ta pëlqejnë shumë rishikimin e Përkthimit Bota e Re, sepse është i lehtë për t’u lexuar dhe përdor gjuhë moderne. Ky përkthim do të na ndihmojë të gjithëve ta kuptojmë më mirë të vërtetën.»
Jemi të sigurt se ky përkthim i rishikuar do t’i ndihmojë në shërbim dhe për studimin personal më shumë se 700 lajmëtarët që flasin gjuhën bislame.
Oromo
Vëlla Delrai Uilliamsoni, anëtar i Komitetit të Degës në Etiopi, prezantoi Përkthimin Bota e Re në gjuhën oromo. Këtë event virtual e ndoqën 12.548 vëllezër e motra, përfshirë 2.000 lajmëtarë që flasin oromo.
Si pasojë e disa vështirësive teknike, Trupi Udhëheqës dha miratimin që programi i regjistruar të transmetohej në një stacion televiziv satelitor. Gjithashtu, lajmëtarët mund ta dëgjonin programin me anë të telefonit.
Pesë përkthyes punuan 5 vjet për përkthimin. Ky përkthim do të jetë një mjet i dobishëm për vëllezërit e motrat që shërbejnë në gjuhën oromo.
Letone
Pas një pune të palodhur 12-vjeçare, u prezantua Përkthimi Bota e Re në gjuhën letone. Të gjitha kongregacionet e gjuhës letone dhe ruse u ftuan të ndiqnin programin.
Vëlla Joni Palmu, anëtar i Komitetit të Degës në Finlandë, mbajti fjalimin e prezantimit të Biblës. Ai tha: «Jemi të lumtur t’u prezantojmë lexuesve letonë këtë Bibël moderne dhe të lehtë për t’u lexuar. Shpresojmë që studimi dhe meditimi i Fjalës së Perëndisë tani të jenë edhe më të kënaqshëm.»
Për sa u përket mjeteve ndihmëse të kërkimit në Biblën e re, një përkthyes tha: «Ky përkthim i ri i Biblës është si një ‘pajisje smart’ që të jep mundësi të mëdha për të medituar dhe për të studiuar thellë.»
Marate
Përkthimi Bota e Re në gjuhën marate u prezantua në një mbledhje që u mbajt për të gjitha kongregacionet e gjuhës marate në Indi. Vëlla Punit Agaruali, anëtar i Komitetit të Degës në Indi, prezantoi këtë përkthim të Biblës.
Për përkthimin në gjuhën marate punuan 6 përkthyes për 3 vjet. Një përkthyese tha: «Ky përkthim do të ndihmojë në veçanti prindërit dhe mësuesit e Biblës ndërsa ndihmojnë fëmijët ose të interesuarit të mësojnë të vërtetat e Biblës.»
Një përkthyese tjetër tha: «Ndien një kënaqësi të veçantë kur e di se në këtë përkthim është rivendosur emri i Perëndisë sa herë që dilte në tekstin origjinal. Lexuesit do të kenë mundësi të lexojnë emrin e Jehovait pothuajse në çdo faqe të këtij përkthimi, dhe emri i Jehovait do të marrë lavdinë që meriton.»
Më shumë se 83 milionë njerëz flasin gjuhën marate në Indinë Qendrore.
Bengale
Vëlla Ashok Pateli, anëtar i Komitetit të Degës në Indi prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën bengale. Më shumë se 1.200 lajmëtarë nga India dhe Bangladeshi u lidhën me programin.
Më shumë se 265 milionë njerëz flasin gjuhën bengale, gjuhën e shtatë më të folur në botë. Një skuadër përkthimi nga pjesë të ndryshme të Indisë dhe Bangladeshit bashkëpunoi për 3 vjet për një përkthim të kuptueshëm për shumicën e popullsisë.
Në fjalimin e tij, vëlla Pateli tha: «Gjuha bengale është ndër gjuhët e para indike që është përkthyer Bibla. Përkthimi i plotë i Shkrimeve të Krishtere Greke mbaroi në vitin 1801. Një nga veçoritë e asaj Bible në gjuhën bengale ishte përdorimi i duhur i emrit hyjnor Jehova. Megjithatë, në përkthime moderne emri hyjnor është zëvendësuar me titullin ‘Zotëri’. Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re do të plotësojë më së miri nevojën e një përkthimi të saktë e të lehtë për t’u lexuar.»
Një nga përkthyesit tha: «Ky përkthim është provë e qartë se Jehovai do njerëz të të gjitha formimeve e grupeve gjuhësore dhe po i fton të mësojnë më shumë për të dhe birin e tij, Jezu Krishtin.»
Karene (sgo)
Vëlla Hiroshi Aoki, anëtar i Komitetit të Degës në Mjanmar, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën karene (sgo). Programin e ndoqën 510 veta nga 6 kongregacione dhe 4 grupe.
Përkthimi në gjuhën karene (sgo) mori pak më shumë se një vit. Një përkthyes tha: «Vëllezërit e motrat dhe njerëzit në territor do të kënaqen me Biblën në gjuhën karene (sgo), sepse në të është rivendosur aty ku duhet emri i Jehovait dhe është përdorur gjuhë moderne. Është e qartë, e saktë dhe e lehtë për t’u kuptuar. Falënderojmë Jehovain për këtë dhuratë të jashtëzakonshme që do të na ndihmojë të afrohemi më shumë me të në gjuhën e zemrën.»
Një përkthyese tha: «Përkthimi Bota e Re është në gjuhën e përditshme, prandaj do t’i ndihmojë lexuesit të kuptojnë si ndiheshin personazhet e Biblës, të imagjinojnë rrethanat në të cilat ndodheshin dhe të imitojnë besimin e tyre.»
Gëzohemi shumë për vëllezërit dhe motrat tona që morën këto Bibla. Jemi të sigurt se Biblat do t’i ndihmojnë lajmëtarët që flasin këto gjuhë, të afrohen edhe më shumë me Jehovain dhe të flasin për të vërtetën me të tjerët.—Gjoni 17:17.