Kalo te përmbajtja

Vëllai Mark Sanderson nga Trupi Udhëheqës duke prezantuar Përkthimin Bota e Re në gjuhën ruse të shenjave. Këtë event e ndoqën lajmëtarë nga shumë vende: (sipas akrepave të orës, duke filluar nga lart majtas) Ukrainë; Letoni; Astanë, Kazakistan dhe Alma-Atë, Kazakistan

31 MAJ 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE

Prezantohet i plotë Përkthimi Bota e Re në gjuhën ruse të shenjave

Prezantohet i plotë Përkthimi Bota e Re në gjuhën ruse të shenjave

Më 27 maj 2023, vëllai Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës, njoftoi publikimin e botimit të parë të plotë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ruse të shenjave (RSL). Programin e ndoqën fizikisht 148 veta, kurse 5.000 të tjerë nga 15 shtete u lidhën drejtpërsëdrejti nëpërmjet streaming ose panë programin e regjistruar. Tani Bibla disponohet në jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language.

Një vëlla që nuk dëgjon, komentoi: «Kur shoh këtë Bibël në gjuhën e shenjave, më duket sikur shoh si ndihej Jezui për njerëzit që vuanin. Më prek thellë në zemër.»

Para se të dilte Bibla në gjuhën ruse të shenjave, shumë Dëshmitarë që nuk dëgjojnë, kishin vetëm versionin e shtypur të Biblës në rusisht. Mirëpo, ngaqë RSL-ja është një gjuhë shumë përshkruese, disa lajmëtarë e kishin mjaft të vështirë të kapnin kuptimin e sa e sa shprehjeve.

Për shembull, në tregimin te 1 Mbretërve 17, vejusha nga Zarefati i tha profetit Elija se ajo dhe i biri do të vdisnin pasi të hanin. Disa lajmëtarë që nuk dëgjojnë, mendonin se kjo tregonte që ushqimi i vejushës ishte i prishur ose me helm. Por tani, në përkthimin në gjuhën RSL, del më qartë që ky ishte ushqimi i fundit që u kishte mbetur.

Gjuhën ruse të shenjave e përdorin njerëz të kombeve e të kulturave të ndryshme. Ja pse, gjatë punës, përkthyesit mbajtën parasysh se në rajone të ndryshme njerëzit i kuptojnë ndryshe disa shenja. Një nga përkthyesit shpjegon: «Një shenjë do të thotë ‘mëkat’ në një rajon, por ‘Perëndi’ në një rajon tjetër. Ose shenja që përdoret për ‘dishepull’ në një zonë, në një zonë tjetër ka kuptimin ‘i fundit’ ose ‘i varfër’. Si skuadër u përpoqëm të përdornim shenjat dhe shprehjet më të njohura.»

Gëzojmë bashkë me vëllezërit e motrat që përdorin gjuhën ruse të shenjave dhe falënderojmë Jehovain që i bekoi me këtë dhuratë të bukur.—Proverbat 10:22.