13 MARS 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE
Prezantohet libri i Mateut në gjuhën australiane të shenjave
Më 2 mars 2024, vëlla Hidejuki Motoi, anëtar i Komitetit të Degës së Australazisë, prezantoi librin e Mateut në gjuhën australiane të shenjave, që njihet gjithashtu si gjuha auslane. Fjalimi i prezantimit u mbajt gjatë një programi special në një Sallë Mbretërie në Brisbein, Australi. Gjithsej, 159 vëllezër e motra ndoqën programin fizikisht. Përveç kësaj, 377 veta nga Australia, Samoa dhe Zelanda e Re e ndoqën programin nëpërmjet videokonferencës. Libri u vu menjëherë në dispozicion për shkarkim në jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language.
Përllogaritet se rreth 20.000 veta që jetojnë në Australi, Samoa, Tongë dhe në Zelandën e Re përdorin gjuhën australiane të shenjave ose një gjuhë shenjash shumë të ngjashme. Dëshmitarët e Jehovait filluan të përkthenin botime të bazuara në Bibël në gjuhën australiane të shenjave në vitin 2001, duke filluar me broshurën Kur të vdes një njeri i dashur . . . Në prill 2023, u hap një zyrë rajonale përkthimi në Brisbein. Sot, gati 350 vëllezër e motra shërbejnë në 1 kongregacion dhe në 18 grupe të gjuhës së shenjave brenda territorit të degës.
Ky është libri i parë i Biblës i përkthyer në gjuhën australiane të shenjave. Pasi mori botimin, një motër tha: «Më preku shumë ngrohtësia dhe dashuria me të cilën foli Jezui gjatë Predikimit në Mal. Kur e pashë në gjuhën australiane të shenjave, m’u duk sikur po fliste drejtpërdrejt me mua.»
Një motër që nuk dëgjon dhe që shërben në një kongregacion të gjuhës së shenjave në Brisbein, u shpreh: «Tani që kam librin e Mateut në gjuhën australiane të shenjave, do ta kem më të lehtë të imitoj cilësitë e Jezuit dhe të jem më e efektshme në shërbim. Faleminderit Jehova!»
Jemi shumë të lumtur që ka dalë libri i Mateut në gjuhën australiane të shenjave dhe jemi të sigurt se ky botim do të ndihmojë edhe më shumë njerëz të gjejnë portën e ngushtë që çon në jetë.—Mateu 7:13, 14.