8 MARS 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE
Prindërit përdorin artikujt në JW Lajme për të ndihmuar fëmijët të përballojnë sprovat me guxim
Shumë prindër Dëshmitarë kanë përdorur artikujt në JW Lajme për t’u forcuar besimin fëmijëve të tyre.
Motër Fumiko Takehara, një mama në Japoni, lexon dhe diskuton me djalin e saj 12 vjeç, Naokin, artikujt që dalin në JW Lajme. Printojnë fotot e vëllezërve e të motrave për të cilët flasin lajmet dhe i varin në mur. Fumiko thotë: «Lutemi specifikisht për secilin prej tyre. Marrim zemër nga fakti që Jehovai u jep gëzim shërbëtorëve të tij, edhe nëse janë në burg. E dallojmë qartë [gëzimin] në fytyrat e vëllezërve tanë. Shembulli i tyre i shkëlqyer e ndihmon djalin tim t’i qëndrojë besnik Jehovait në shkollë.»
Vëlla Kilanko Zanou, baba i dy fëmijëve në Bregun e Fildishtë, thotë: «Kontrolloj çdo ditë në sitin jw.org te pjesa JW Lajme.» Shpesh Kilanko përfshin lajmet në adhurimin familjar. Ka parë se familja e tij, madje edhe djali 7-vjeçar, Matiasi, ka mësuar shumë nga vëllezërit që tregojnë qëndrueshmëri e guxim përballë përndjekjes.
Në fillim Matiasi i vogël kishte frikë t’u fliste për besimin e tij shokëve të shkollës. Kilanko tregon: «Pasi mbaruam adhurimin familjar, Matiasi tha gjithë entuziazëm: ‘Tani nuk kam më frikë të predikoj!’»
Vëlla Holms Simatupangu, një baba në Indonezi, lexoi me fëmijët e tij dy artikuj për disa të rinj Dëshmitarë në Indonezi, të cilët i përjashtuan nga shkolla ngaqë nuk nderuan flamurin.
Vëlla Simatupangu thotë: «Dy fëmijët tanë hasin vështirësi të ngjashme në shkollë. Duhet të qëndrojnë përballë presionit të vazhdueshëm nga mësuesit dhe shokët e klasës për të nderuar flamurin, për të kënduar himnin dhe për marrë pjesë me ta në aktivitete fetare. Ja pse, për njëfarë kohe, fëmijët kishin frikë të shkonin në shkollë.
Pasi i shqyrtuam [këta] dy artikuj gjatë adhurimit familjar, ata ndihen më të përgatitur për t’u shpjeguar të tjerëve me guxim pse nuk e nderojnë flamurin. Tani s’kanë më edhe aq frikë se mos i përjashtojnë nga shkolla.»
Motër Lejdi Neri Pasos në Brazil shpjegon: «Kur djali ynë, Pedro, ishte rreth pesë a gjashtë vjeç, u përball me çështjen e ditëlindjeve në shkollë.» Ndërsa vriste mendjen cila ishte mënyra më e mirë për ta ndihmuar djalin, asaj iu kujtuan tërë ata vëllezër e motra që përmenden te JW Lajme, të cilët ishin përgatitur për sprovat. Lejdi tregon: «Gjatë adhurimit familjar praktikonim situata reale, dhe kjo e ndihmoi djalin të kuptonte si duhej të vepronte kur bëheshin ditëlindje në shkollë.» Kjo e përgatiti Pedron që të mbronte bindjet e tij.
Artikujt në JW Lajme na kujtojnë sa mirë kujdeset Jehovai për besnikët e tij dhe sa forcë u jep. Kemi sa e sa prova që dëshmojnë se, kur hasim vështirësi, Jehovai do të na japë «plot gëzim dhe frymë të shenjtë» që të qëndrojmë.—Veprat 13:50-52.