26 JANAR 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE
Qendra e re e Vizitorëve në Paterson ofron një eksperiencë unike dhe interaktive
Më 1 janar 2024, u hap zyrtarisht Qendra e Vizitorëve në Paterson, që ndodhet në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA. Muzeu kryesor i qendrës së vizitorëve titullohet «Një fshat tipik i shekullit të parë». Vëlla Isaia Milleri, i cili punon në Departamentin e Muzeve në Bethel, tha: «Ky fshat është projektuar në atë mënyrë që kushdo të shohë e të mësojë si jetonin njerëzit në kohën e Jezuit. Studimet tregojnë se të mësuarit në mënyrë interaktive ka ndikim të fuqishëm te njerëzit e çdo moshe.» Pas vizitës, një vizitore u shpreh: «Ky muze më dha ndjesinë sikur shkova pas në kohë, në tokën e Izraelit të lashtë. Ishte e mrekullueshme!»
Në këtë muze paraqiten në mënyrë realiste kafshët, ushqimi, bimët dhe zakonet e përditshme të njerëzve që jetonin në një fshat izraelit të shekullit të parë. Për shembull, pemët e ullirit janë krijuar duke përdorur kallëpe të pemëve të ullirit të Izraelit, të punuara me dorë. Vizitorët mund të bluajnë drithin në një gur mulliri me përmasa reale dhe mund të hipin mbi një varkë peshkimi si ajo që përdornin Jezui dhe dishepujt e tij. Një vëlla u shpreh i entuziazmuar: «M’u duk sikur u futa brenda tregimit të Biblës ku Jezui i tha detit: ‘Pusho! Hesht!’» (Marku 4:39) Ndërsa vizitojnë një model të një sinagoge të lashtë, vizitorët mund të përfytyrojnë veten të ulur atje duke dëgjuar me vëmendje teksa Fjala e Perëndisë lexohej me zë.
Një tjetër veçori unike e muzeut është mundësia për të biseduar me «fshatarë izraelitë», të cilët portretizohen nga motra e vëllezër, dhe të mësojnë më shumë si ishte jeta në shekullin e parë. Vizitorët mund të bëjnë punë dhe të praktikojnë zanate të ndryshme, të zakonshme në ditët e Jezuit. Markosi 10-vjeçar tha: «Momenti im i preferuar ishte kur ndihmova një zdrukthëtar izraelit të ndërtonte një stol!» «Edhe për mua,—tha Rebeka, që është 8 vjeçe.—Por më pëlqeu shumë edhe kur bluajta grurin për të bërë miell.»
Përveç muzeut kryesor, qendra e vizitorëve ka edhe 3 ekspozita të tjera. Një prej tyre titullohet «Monedhat e shekullit të parë» dhe ekspozon monedha origjinale të asaj kohe, ndër to edhe një tetradrahmë të rrallë. «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Jehovai» është ekspozita që u tregon vizitorëve disa shkolla teokratike dhe thekson dobinë e arsimimit hyjnor. Ndërsa «Mbrojtja dhe themelimi ligjërisht i lajmit të mirë» tregon shembuj të motrave e të vëllezërve besnikë në vende të ndryshme, të cilët hasën përndjekje, dhe si i mbështeti me besnikëri organizata e Jehovait.
Vëllezër e motra nga e gjithë bota janë të mirëpritur për të vizituar Qendrën e Vizitorëve në Paterson dhe për të shijuar këtë dhuratë nga Jehovai që do t’i pasurojë jashtë mase. Kjo është një mënyrë tjetër si e tregon Jehovai sa shumë e do dhe e vlerëson popullin e tij.—Jakovi 1:17.