9 QERSHOR 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE
Refugjatët ukrainas nisin një jetë të re në shtete të tjera
Kur nisi lufta në Ukrainë, Irina Makuha, një motër beqare 46 vjeçe, u nis për në stacionin e trenit në Kharkiv. Ajo vendosi të largohej nga vendi që të ishte më e sigurt. Në mes të kaosit, njerëzit merrnin trenat pa e ditur ku po shkonin. Treni ku ishte Irina, u nis nga stacioni me dritare të izoluara për të minimizuar rrezikun nga sulmet. Kështu që vetëm pasi u larguan nga stacioni e mori vesh se po shkonin drejt Sllovakisë.
Më 3 mars 2022, Irina mbërriti në Pragë, në kryeqytetin e Republikës Çeke. Sot vazhdon të jetojë në Çeki. Gjeti punë si kujdestare dhe jeton në një apartament me dy motra të tjera ukrainase, që po ashtu janë refugjate. Irina po mëson gjuhën çeke dhe ka rifilluar shërbimin në kohë të plotë, që ishte gjëja më e rëndësishme për të për 20 vjet me radhë.
Irina komenton: «Po e shoh me sytë e mi si po kujdeset Jehovai për ne nëpërmjet popullit të tij. Kjo më ka forcuar besimin si kurrë ndonjëherë.»
Gati 23.000 vëllezër e motra kanë vendosur të kërkojnë strehim në shtete të tjera. Ata që kanë vendosur të jetojnë jashtë vendit, mund të ndihen më të sigurt atje, por prapë duhet të kërkojnë punë, shtëpi, të pajisen me dokumente ligjore dhe të regjistrojnë fëmijët në shkolla të reja; e të gjitha këto duhen bërë ndërsa mësojnë një gjuhë të re. Ata kanë parë se programi i rregullt me aktivitete teokratike dhe dashuria vëllazërore po i ndihmojnë jashtë mase gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Të 3 pjesëtarët e familjes Perçak, Anatoli, Olena dhe Alina 17-vjeçare, po nisin një jetë të re në Rumani, pasi bombardimet shkatërruan pjesë të lagjes së tyre në Mikolaiv Oblast, Ukrainë. Familja u transferua më 6 mars 2022. Meqë Anatoli është nënshtetas moldav, e lejuan të merrte familjen në Rumani. Emigrimin në një vend tjetër, Olena e përshkruan si «të zhvendosësh një pemë me rrënjë nga njëri vend të tjetrin».
Falë ndihmës së vëllezërve rumunë, tani familja Perçak ka apartamentin e saj. Përveç kësaj, Anatoli dhe Olena kanë gjetur punë, ndërsa Alina arriti ta mbaronte online shkollën në Ukrainë.
Vëllezërit e motrat rumunë po i sigurojnë familjes jo vetëm ndihmë praktike, por po u ofrojnë edhe mbështetje emocionale dhe po i ndihmojnë të mbajnë një besim të fortë. Vëllezërit e motrat kalojnë kohë me ta rregullisht, që të mos ndihen vetëm në një vend të huaj. Olena dhe Alina po mësojnë rumanisht nëpërmjet aplikacionit JW Language dhe duke marrë pjesë në shërbim me të tjerë nga kongregacioni i ri. Kurse Anatoli ka folur rumanisht që kur ishte i vogël.
Anatoli komenton: «E kemi parë dorën e Jehovait që nga fillimi. Po ndiejmë dashurinë e tij, nëpërmjet organizatës dhe mbështetjes nga vëllezërit e motrat.»
Alina Havriljuku, që mbeti vejushë para luftës, dhe i biri 16-vjeçar, Vladislavi, mbërritën në Suvaki, Poloni, nga Vinitsia, Ukrainë, më 27 shkurt. Ajo thotë: «Në fillim vrisja mendjen ku do të jetonim dhe si do të jetonim. Prapëseprapë kisha besim se Jehovai do të kujdesej për ne.»
Alina, që është 37 vjeçe, filloi menjëherë të kërkonte punë që nuk e pengonte për mbledhjet. Gjeti punë si kujdestare në një shkollë. Ajo shprehet: «Për mua e rëndësishme është që falë kësaj pune mund të marr pjesë në shërbim dhe të mbështes familjen.»
Alina dhe Vladislavi po mësojnë polonisht dhe po shërbejnë si pionierë ndihmës në vazhdimësi në një kongregacion të gjuhës polake. Vladislavi është regjistruar edhe në shkollë të mesme.
Vëllezërit e motrat ukrainase po përjetojnë vështirësi dhe ndryshime të paimagjinueshme, por Jehovai vazhdon t’u japë fuqi përtej asaj që është normale. Për ta janë të vërteta fjalët te 2 Korintasve 4:8: «Jemi zënë ngushtë, por jo aq sa të mos lëvizim; jemi në mëdyshje, por jo fare pa rrugëdalje.»