31 MARS 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE
Refugjatët ukrainas tregojnë si lanë pas gjithçka
«E vetmja gjë që ka rëndësi është marrëdhënia me Jehovain»
Në 5.00 të mëngjesit, një telefonatë nga plaku i kongregacionit zgjoi nga gjumi vëlla Femi Durodolin dhe gruan e tij, Janën. «Vëllai na tha: ‘Mos kini merak, thjesht bëhuni gati. Ushtria ruse po vjen drejt Kievit!’»—tregon Jana.—«Në atë moment, u ndjeva shumë e tensionuar.»
Ky çift i sapomartuar u veshën, përgatitën filxhanin e fundit të kafesë që do të shijonin në shtëpinë e tyre dhe lexuan shkrimin e ditës, që thoshte: «Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.» (Isaia 30:15) Femiu iu lut me zjarr Jehovait. Femiu, nga Nigeria, dhe Jana, nga Ukraina, morën shpejt çantat e emergjencës, lanë gjithçka tjetër pas dhe u nisën drejt Holandës si refugjatë.
Kjo rrjedhë ngjarjesh përsëritet sa e sa herë për vëllezërit e motrat që kanë marrë vendimin personal për t’u larguar nga Ukraina, pas sulmit të Rusisë më 24 shkurt 2022. Në Ukrainë ka rreth 130.000 Dëshmitarë të Jehovait. Deri më tani, mbi 36.000 Dëshmitarë kanë vendosur të largohen nga shtëpitë e tyre dhe mbi 16.000 kanë ikur në shtete të tjera. Shumë po lënë shtëpinë, punën dhe kongregacionin. Gjatë luftës, burrat ukrainas të moshës 18 deri 60 vjeç nuk lejohen të largohen nga vendi. Gjithsesi, burrat që kanë nënshtetësi të huaj bëjnë përjashtim.
Ata që largohen, marrin me vete vetëm gjërat e domosdoshme dhe hipin nëpër trena e autobusë për të nisur udhëtimin e tyre të mundimshëm drejt mbijetesës, ndonjëherë pa e pasur fare idenë se ku do të përfundojnë. Me besimin se Jehovai është në krahun e tyre, ata ikin nga qytetet e rrënuara prej luftës, pa e ditur nëse do të kthehen një ditë.
«Lamë gjithçka pas. Morëm vetëm pak gjëra»,—thotë Jana.—«Kjo situatë na rikujtoi se, në të vërtetë, e vetmja gjë që ka rëndësi është marrëdhënia me Jehovain.»
Afër shtëpisë së motër Lilia Antoniukut në Kiev, ushtonin sirenat që lajmëronin bombardimet nga ajri dhe zhurmat e shpërthimeve të predhave. Rrugët ishin plot me makina të djegura dhe mbetje ndërtesash e urash të shkrumbuara.
Lilia dhe vajza e saj 17-vjeçare, Oleksandra, vendosën të largoheshin nga vendi. Udhëtuan për ditë me radhë në një tren të mbushur plot e përplot që shkonte në Poloni. Kishin shumë pak ushqim dhe iu desh të qëndronin në këmbë për orë të tëra. Ankthi i motrave mori fund kur mbërritën në Pshemishëll, Poloni.
Lilia tregon: «Sapo pamë vëllezërit me tabelat ‘JW.ORG’, u qetësuam se kuptuam që ishim në duar të sigurta.» Motrat i çuan te një Sallë Mbretërie që të ngroheshin, të hanin e të pushonin pak, para se t’i çonin në shtëpinë e bashkëbesimtarëve ku do të strehoheshin.
Lilia, që tani është transferuar në Gjermani, thotë: «Ndiem kujdesin e Jehovait dhe besimi na u forcua shumë. I jam vërtet mirënjohëse Jehovait për dashurinë që na tregon dhe për vëllezërit e motrat që janë gati të na bëhen krah në kohë të vështira.»
Motër Anastasia Kovaljovi përshkroi se si forcat sulmuese mësynë nga ajri qytetin e Zaporizhias. Ajo pa tufën e shkëndijave që lëshoi një mortajë dhe dëgjoi shpërthimet nga apartamenti i saj. Bombardimet e vazhdueshme ishin traumatike për nipin 7-vjeçar dhe mbesën 3-vjeçare të Anastasias, prandaj si familje vendosën të largoheshin. Ajo tregon: «Ngaqë s’mund të merrnim shumë gjëra me vete, nuk kishim mjaftueshëm veshje dhe gjëra të tjera. Por vëllezërit u kujdesën për gjithçka. Na siguruan çdo gjë që na duhej, madje edhe më shumë.» Anastasia, kunata e saj, Ania, dhe fëmijët udhëtuan për në Gjermani duke i rënë nga Polonia.
Motër Anastasia Shçukini dhe mamaja e saj, motër Olha Lisenko, mbylleshin në bodrumin e ftohtë të shtëpisë së tyre të vogël sa herë që sirenat paralajmëronin bombardime ajrore. Këto dy motra po shërbenin si pioniere atje ku ka më shumë nevojë, në qytezën e vogël të Brailivit, në Vinitsia Oblast. Zemra nuk ua bënte të largoheshin, por, kur situata u bë më e rrezikshme, vendosën të iknin. Morën gjërat më të domosdoshme dhe udhëtuan dy ditë me tren, pa vënë thuajse fare gjumë në sy. Për Olhën 58-vjeçare nuk ishte e lehtë të largohej, pasi ka edhe probleme me shëndetin. Në orën 2.00 të mëngjesit mbërritën në Zheshof, Poloni. Atje i pritnin bashkëbesimtarët për t’i përshëndetur. Anastasia u shpreh: «Edhe pse ishte shumë vonë, i gjetëm vëllezërit atje duke na pritur. S’kemi fjalë të përshkruajmë sa mirënjohëse u jemi Jehovait dhe vëllezërve e motrave.»
Në qytetin e Sumit, vëlla Andzhej Hyba, një shtetas polak, dhe gruaja e tij, Elizabeth, nga Britania, ishin fshehur në bodrumin e shtëpisë së një vëllai, bashkë me pesë të tjerë. Sipër kokave të tyre dëgjoheshin aeroplanët bombardues, bombat dhe të shtënat e armëve. Vëllezërit morën zemër duke parë dramën e bazuar në Bibël O Jehova, . . . kam besim te ti, që tregon historinë e mbretit Hezekia kur asirianët ishin gati të sulmonin Jerusalemin.
Vëlla Andzheji, që tani është në Poloni bashkë me gruan, thotë: «Vëllezërit na kanë dërguar shkrime të ndryshme nga Bibla. Për shembull, na kanë nxitur të lexojmë Psalmin 27.»
Jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë vëllezërit që ‘kanë pranuar të humbin çdo gjë nga ana materiale’, teksa i mbajnë sytë te një e ardhme pa luftë.—Filipianëve 3:8.