8 KORRIK 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE
Rekord i ri përkthimi: Në një fundjavë prezantohen 13 Bibla!
Gjatë fundjavës 25-26 qershor 2022, organizata jonë arriti një rekord të ri kur Përkthimi Bota e Re u prezantua në 13 gjuhë. Më parë, numri më i madh i prezantimeve të Biblës, ishte në 6 gjuhë. Raporti vijues jep detaje nga ky moment historik.
Gjuha tzeltale
Vëllai Armando Oçoa, anëtar i Komitetit të Degës në Amerikën Qendrore, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën tzeltale. Programi u transmetua për një audiencë prej rreth 1.400 vetash. Bibla u prezantua në formatin digjital dhe të shtypur.
Një nga përkthyesit e gjuhës tzeltale tha: «Kur mendoj për projektin, e kam të qartë si drita e diellit se Jehovai na ka mbështetur jashtë mase. Jam pa fjalë nga gjithë sa është arritur. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo u bë e mundur falë frymës së Jehovait.»
Gjuha uajunaiki
Vëllai Karlos Moreno, përfaqësues nga dega e Kolumbisë, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re (Mateu-Veprat) në gjuhën uajunaiki. Programi i regjistruar paraprakisht u transmetua për një auditor prej 2.000 vetash në Kolumbi dhe Venezuelë. Bibla u vu në dispozicion në format digjital, ndërsa po planifikohet që të vihet në dispozicion edhe në format të shtypur.
Gjuha baulé
Vëllai Kristof Kuló, anëtar i Komitetit të Degës në Bregun e Fildishtë prezantoi botimin e plotë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën baulé gjatë një programi të regjistruar paraprakisht, që u transmetua për më shumë se 12.000 veta. Bibla u vu në dispozicion në format digjital, ndërsa në formatin e shtypur do të dalë në tetor 2022. Kjo është hera e parë që Përkthimi Bota e Re përkthehet në një gjuhë vendëse brenda territorit të degës së Bregut të Fildishtë.
Një pjesëtar i skuadrës së përkthimit tregoi se çfarë i motivonte gjatë projektit: «Sa herë hasnim ndonjë vështirësi, mendonim për gëzimin që mund të përjetonin vëllezërit e motrat si dhe njerëzit e tjerë në territor kur të merrnin Biblën në gjuhën e tyre. Kjo dhe mbështetja nga Jehovai na kanë dhënë forcë të mos dorëzoheshim.»
Gjuha uellsiane
Vëlla Piter Belli, anëtar i Komitetit të Degës në Britani, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën uellsiane, gjatë një programi live nga një Sallë Mbretërie në Uells. Programin e ndoqën rreth 2.057 veta nëpër Sallat e Mbretërisë në Uells dhe Argjentinë. Biblat digjitale u vunë në dispozicion menjëherë, kurse botimi i shtypur do të jetë në dispozicion në dhjetor 2022.
Një pjesëtar i skuadrës së përkthimit sjell ndër mend: «S’e harroj kurrë momentin kur duhej të përkthenim emrin e Jehovait për herë të parë. Ndiheshim kaq të vegjël ndërsa shihnim me sytë tanë që emri hyjnor po rivendosej aty ku i takonte.»
Gjuha maniava dhe teve
Vëlla Marselo Santosi, anëtar i Komitetit të Degës në Mozambik, prezantoi botimin Bibla—Libri i Mateut në gjuhët maniava dhe teve, gjatë 2 programeve të regjistruara paraprakisht. Programet u transmetuan nëpërmjet JW Stream. U transmetuan edhe në televizion dhe radio. Botimet u vunë në dispozicion në formatin audio dhe në formatin digjital, kurse botimet e shtypura do të vihen në dispozicion në shtator 2022.
Me sa dihet, ky është libri i parë i Biblës i përkthyer në maniava dhe me sa dihet vetëm pak libra të Biblës janë përkthyer në teve. Lexuesit dhe dëgjuesit do të nxjerrin shumë dobi nga ky përkthim.
Gjuhët keçua (Ankashe), keçua (Ajakuço) dhe keçua (Kusko)
Vëllai Marselo Mojano, anëtar komiteti në degën e Perusë, prezantoi versionin digjital të Përkthimit Bota e Re në keçua (Ankashe), keçua (Ajakuço) dhe keçua (Kusko). Këto janë tri gjuhët kryesore keçua që fliten në Peru. Programi i regjistruar paraprakisht u transmetua për një auditor me mbi 7.000 veta. Biblat e shtypura do të vihen në dispozicion në tetor 2022.
Edhe pse këto gjuhë kanë rrënjë të përbashkët, rajone të ndryshme kanë variantet e tyre të keçuas. Megjithatë, ndryshimet mes tyre e bëjnë të pamundur që Bibla të kuptohet qartë, nëse nuk përkthehet në secilin variant. Skuadrat e përkthimit të secilës gjuhë zgjedhin fjalë të lehta për t’u kuptuar nga lexues të rajoneve përkatëse.
Gjuhët ndebele, sesote (Lezoto) dhe sesote (Afrika e Jugut)
Vëllai Keneth Kuk, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi Përkthimin Bota e Re në gjuhët ndebele dhe sesote (Afrika e Jugut). Ai prezantoi edhe botimin e rishikuar të Përkthimit Bota e Re në gjuhën sesote (Lezoto). Mbi 28.000 veta e panë programin e regjistruar paraprakisht, i cili u transmetua në disa Salla Mbretërie të përzgjedhura dhe në shtëpi private në tërë vendin. Biblat në format digjital u vunë në dispozicion menjëherë, ndërsa në format të shtypur janë planifikuar të dalin në dhjetor 2022. Është hera e parë që Përkthimi Bota e Re botohet i plotë në gjuhët ndebele dhe sesote (Afrika e Jugut).
Një pjesëtar i skuadrës së përkthimit të Biblës në gjuhën ndebele, tha: «Ky përkthim do të jetë një bekim i vërtetë për njerëzit që flasin gjuhën ndebele në territorin tonë, sepse përdor emrin e Jehovait. Për të parën herë do ta mësojnë emrin e tij duke e lexuar direkt nga Biblat e tyre.»
Gjuha ndebele (Zimbabve)
Vëllai Shingirai Mapfumo, anëtar i Komitetit të Degës në Zimbabve, prezantoi botimin e plotë të Përkthimit Bota e Re në gjuhën ndebele (Zimbabve) në format digjital, kurse në format të shtypur do të jetë në dispozicion në korrik 2022. Programi i regjistruar paraprakisht u transmetua në Sallat e Mbretërisë në gjithë Zimbabven, për më shumë se 8.700 të pranishëm.
Edhe pse në gjuhën ndebele (Zimbabve) ka edhe Bibla të tjera, në këtë përkthim të vërtetat e Biblës janë më të qarta. Për shembull, te Gjoni 17:3, një Bibël tjetër e quan Jezu Krishtin «Perëndi të Vërtetë». Ndërsa Përkthimi Bota e Re e bën të qartë ndryshimin mes Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. Një përkthyes komentoi: «Ky përkthim përdor gjuhën e përditshme, të cilën lexuesi mund ta kuptojë fare lehtë.»
Kënaqemi kur shohim që Fjala e Perëndisë vihet në dispozicion të njerëzve përreth globit, të cilët duan ta njohin të vërtetën e të marrin «falas ujin e jetës» në gjuhën e tyre.—Zbulesa 22:17.