7 QERSHOR 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE
Rifillojnë vizitat në shtëpitë Bethel përreth botës
Më 1 qershor 2023, mjaft shtëpi Bethel përreth botës i hapën sërish dyert për vizitorët, pas një ndërprerjeje prej më tepër se 3 vjetësh për shkak të pandemisë COVID-19. Ishte ditë tepër e veçantë për anëtarët e familjes mbarëbotërore Bethel dhe për mijëra vizitorë.
Bethelitët u uruan vizitorëve mirëseardhjen me pankarta, këngë, buzëqeshje dhe me përqafime të ngrohta. Elis Boti, i cili gjatë pandemisë filloi të shërbente në selinë botërore në Uoruik, Nju-Jork, thotë: «Ishte fantastike të shihje bethelitët të rreshtuar jashtë recepsionit që mbanin në duar pankarta mirëseardhjeje. U derdhën plot lot gëzimi dhe kjo më kujtoi sa special është Betheli.» Aleksis Aleksandri, që shërben si vullnetare në kohë të pjesshme në Bethel, ishte tejet e emocionuar që pati mundësinë të përshëndeste vizitorët e t’u tregonte mikpritje. Ajo u shpreh: «Ishte vërtet speciale të shihje dashurinë e vëllezërve për Jehovain dhe për shtëpinë e tij.»
Mi-jon Xhoja u kënaq pa masë që, më në fund, arriti të çonte djalin e saj 8 vjeç, Junin, për të vizituar zyrën e degës në Korenë e Jugut. Juni ishte kaq i emocionuar që do të shkonte në Bethel, sa nuk e zuri gjumi gjithë natën. Mi-joni tha: «Sapo u zgjuam, dëgjuam këngën për Danielin dhe Sarën që vizitojnë Bethelin. Madje e dëgjuam edhe në makinë, rrugës për në Bethel.» Junit i pëlqeu kaq shumë vizita, sa tha: «Po të kishte dhe kafshë, Betheli do të ishte parajsë.»
Noa Xhonseni, një i ri nga Alberta e Kanadasë, i cili vuan nga atrofia muskulore kurrizore, e kishte ëndërr të vizitonte Bethelin në Nju-Jork, SHBA. Meqë për shkak të sëmundjes nuk udhëton dot me avion, prindërit e tij bënë rreth 4.100 kilometra me makinë për në Bethelin e Uollkillit, në Nju-Jork. Noa tha për vizitën: «E gjithë eksperienca mund të përmblidhet me një fjalë—dashuri. Ndieva dashurinë e Jehovait dhe të vëllezërve.»
Fjodor Zhitnikovi, 76 vjeç, dhe e shoqja, Julita, u entuziazmuan që vizituan muzeun në Bethelin e Kazakistanit. Një pjesë e muzeut paraqet historinë e disa vëllezërve e motrave të cilët qëndruan besnikë për dekada. Fjodori e ka veçanërisht për zemër këtë ekspozitë sepse ka shërbyer përkrah shumë prej tyre dhe shprehu mirënjohje të thellë për punën që ishte bërë për përgatitjen e saj. Ai tha: «Nëse vëllezërit kanë ruajtur me kujdes gjatë këtyre viteve gjërat që kemi bërë në shërbim të Jehovait, aq më tepër Jehovai kujton gjithçka dhe e çmon veprën e gjithsecilit.»
Jemi të lumtur që mund të mirëpresim sërish vizitorë në shtëpitë Bethel anembanë botës. Mezi presim të takojmë mijëra të tjerë që do të na vizitojnë në të ardhmen.—Psalmi 122:1.
Më poshtë ka një album fotografish të vëllezërve e motrave që vizitojnë shtëpi Bethel dhe muze të ndryshëm.
Argjentinë
Belgjikë
Brazil
Republika Domenikane
Ekuador
Francë
Kazakistan
Kaledonia e Re
Nigeri
Koreja e Jugut
Shtetet e Bashkuara—Uollkill, Nju-Jork
Shtetet e Bashkuara—Uoruik, Nju-Jork