28 SHKURT 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE
Rinisin Asambletë Qarkore dhe Shkollat Teokratike me prani fizike
Në janar 2023, pas një pauze prej afro 3 vjetësh, në mbarë botën rifilluan asambletë qarkore me prani fizike. Njësoj ndodhi edhe me shkollat teokratike në mjaft vende. Është e qartë që Jehovai i ka bekuar këto evente speciale.
Në Vilahermosë, në Shtetin e Tabaskos, Meksikë, rreth 200 lajmëtarë ndihmuan me pastrimin e Sallës së Asambleve para asamblesë qarkore. Disa kishin udhëtuar rreth 6 orë për të marrë pjesë. Një motër shpjegoi: «U bë një kohë e gjatë që nuk shohim kaq shumë motra e vëllezër të mbledhur bashkë. S’donim që të na ikte nga duart kjo mundësi për të ndihmuar.»
Në një asamble qarkore në Kraunsvill, Merilend, SHBA, një motër komentoi: «Po fluturoj nga gëzimi. S’më kanë pushuar lotët që kur kam mbërritur. Programi s’ka filluar akoma dhe unë i mbarova të gjitha facoletat. Këtë asamble s’do ta kisha humbur për asgjë në botë.»
Studentët në territoret e shumë degëve ishin mjaft entuziastë të merrnin pjesë fizikisht në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë dhe në Shkollën për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e tyre. Vëllai Xhovani Kabezas, instruktor në godinën e shkollave teokratike në Palm-Koust, Florida, SHBA, u shpreh: «U emocionuam pa masë kur morëm vesh se do të rifillonin shkollat teokratike me prani fizike. Atmosfera këtu është fantastike me instruktorë, studentë dhe vullnetarë që janë plotësisht të përkushtuar me mendje e shpirt për të bërë vullnetin e Jehovait.»
Motër Satoko Nakata ndoqi bashkë me të shoqin Shkollën për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e tyre në janar 2023. Ajo tha: «Ishte e mrekullueshme që gjatë pandemisë i mbajtëm me Zoom mbledhjet dhe shkollat e pionierit. Gjithsesi ishte e vështirë të bëje muhabet lirshëm me të tjerët ose t’i dëgjoje tek qeshnin e këndonin. Pjesëmarrja fizikisht në këtë shkollë ishte pa diskutim një dhuratë mjaft e dashur nga Jehovai. Folëm e qeshëm me studentët e tjerë, madje edhe qamë bashkë, si dhe kënduam plot gëzim. Më gufon zemra nga mirënjohja për Jehovain dhe për Trupin Udhëheqës.»
S’ka dyshim se Jehovai kënaqet pa masë kur sheh popullin e tij që mblidhet bashkë për ta adhuruar e për t’u mësuar prej tij. Ndihemi tamam si mbreti David, kur tha: «Në mes të kongregacionit të madh do të të falënderoj, e mes një morie njerëzish do të të lëvdoj.»—Psalmi 35:18.