Kalo te përmbajtja

Motër Mieko Joshinari në Japoni i shkruan komentet me shkronja të mëdha, sepse nuk sheh mirë

28 PRILL 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

Shkollat e Shërbimit për Pionierë mbahen për herë të parë nëpërmjet videokonferencës

Shkollat e Shërbimit për Pionierë mbahen për herë të parë nëpërmjet videokonferencës

Për shkak të pandemisë, Shkollat e Shërbimit për Pionierë për vitin e shërbimit 2021 u mbajtën për herë të parë me anë të videokonferencës anekënd globit. Meqë e vlerësojnë me gjithë zemër këtë masë nga organizata e Jehovait, studentët bënë gjithë sa mundën që të ndiqnin shkollën. Historitë vijuese tregojnë si i ka ndihmuar Jehovai disa pionierë të ndjekin shkollën, pavarësisht nga problemet dhe situatat e vështira.

Motër Mieko Joshinari në Japoni ka shërbyer si pioniere e rregullt për 30 vjet. (Shih fotografinë hapëse.) Edhe pse nuk e ka të lehtë të përdorë mjetet elektronike e nuk sheh edhe aq mirë, ishte e vendosur të ndiqte shkollën virtuale për pionierë. Ajo thotë: «Përgatitesha për komentet, duke i shkruar me shkronja të mëdha kërkimet, që t’i lexoja kollaj. Jehovai më ka dhënë zemër dhe më ka forcuar në shkollën e pionierit.»

Motër Anita Kariuki, që jeton në Thikë, një qytet pranë Najrobit, Kenia, punon në sallonin e saj të bukurisë për të mbështetur veten si pioniere. Për të ndjekur shkollën, duhej ta mbyllte biznesin për gjithë javën. Në fillim ishte në merak për këtë, por pastaj nuk pati pikë dyshimi se Jehovai do ta ndihmonte. Ajo shpjegon: «Thjesht iu përgjërova Jehovait për ndihmë dhe vazhdova shërbimin.» Fundjavën para se të fillonte shkollën, bëri mjaft pará për të mbuluar shumicën e shpenzimeve. Edhe pse i duheshin akoma 30 dollarë, e ndoqi shkollën. Pas sesionit të së mërkurës, Anitën e mori në telefon një kliente që t’i jepte paratë që i detyrohej. Ishin fiks aq sa i duheshin për të mbuluar shpenzimet!

Shtëpia e motër Laurenta Madrigalesit në Joro, Honduras, u përmbyt nga uraganet Eta dhe Jota, dhe u mbush me gati 1 metër baltë. Familja e saj humbi thuajse gjithçka dhe u zhvendos përkohësisht kur Laurenta mori ftesën për të ndjekur shkollën e pionierit. Ajo ishte aq e lumtur për ftesën, por kishte merak se familja nuk do ta mbaronte dot në kohë për shkollën pastrimin e shtëpisë. Laurenta tregon: «Çdo ditë duhej ta fillonim pastrimin në mëngjes herët dhe ta përfundonim natën vonë. Kjo vazhdoi për ditë me radhë. Isha e rraskapitur. E ndieja se më kishin shteruar energjitë për të studiuar, që të përgatitesha për shkollën dhe u thashë vëllezërve se nuk mund ta ndiqja shkollën.» Ajo iu lut Jehovait dhe i tha sa keq ndihej për shkak të kësaj situate. Për habinë e saj, pak ditë para se të fillonte shkolla, Komiteti i Ndihmës në Rast Katastrofash u ofrua për të pastruar shtëpinë. Kështu pati kohë të përgatitej dhe e ndoqi shkollën nga shtëpia e saj.

Motër Laurenta Madrigalesi në Honduras dhe shtëpia e saj e dëmtuar nga stuhitë, para se të pastrohej

Vëlla Spenser Stashi dhe bashkëshortja e tij, Aleksandra, shërbejnë si pionierë të rregullt në Klivlend, Ohajo, Shtetet e Bashkuara. Para se të fillonte shkolla, i ati i tij vejan, Roberti, u shtrua në spital. Çifti nuk ishte i sigurt nëse duhej ta ndiqnin shkollën. Por, Roberti i inkurajoi të mos hiqnin dorë. Mjerisht, ai vdiq dy ditë para se të fillonte shkolla. Edhe pse me zemër të copëtuar, Spenseri dhe Aleksandra humbën vetëm ditën e parë të shkollës. Lutjet e pareshtura u dhanë forcën e duhur për të marrë pjesë. Spenseri tha se ndiheshin të qetë që ia plotësuan dëshirën babait. Ai shton: «Mezi presim t’i themi se e bëmë shkollën dhe t’i tregojmë disa nga gjërat që mësuam. Mbështetja që na dhanë motrat e vëllezërit në klasë dhe instruktorët, ishte pikërisht ajo që na duhej.»

Vëlla Jung Dae Sik në Korenë e Jugut jeton në një shtëpi të moshuarish prej 10 vjetësh. Ngaqë u paralizua pjesërisht pas një hemorragjie cerebrale, përdor një karrige me rrota. Më parë ishte përpjekur të ndiqte shkollën e pionierit, por nuk kishte arritur më tepër se një ditë, për shkak të problemeve shëndetësore. Kur mori ftesën për të ndjekur shkollën virtuale, s’e mbante vendi nga gëzimi. Ai kujton: «Isha kaq mirënjohës për këtë masë, saqë nuk i mbajta dot lotët. Po të mos ishte virtuale, nuk do të kisha shans tjetër të ndiqja shkollën e pionierit. Jam tej mase i gëzuar që mora pjesë në këtë shkollë.»

Vëlla Jung Dae Sik në Kore duke ndjekur shkollën e pionierit nga shtëpia e të moshuarve

Vëlla Edi El Bajeh dhe bashkëshortja, Çeriza, janë pionierë të rregullt në Australi

Vëlla Edi El Bajeh dhe e shoqja, Çeriza, jetojnë në Uellsin e Ri Jugor, Australi. Çeriza thotë: «Ndieja se po bëja një shërbim sa për të thënë, shërbim rutinë, dhe nuk dija si ta përtërija zellin.» Mirëpo, shkolla e pionierit ishte fiks ajo që i duhej. Çeriza pohon: «Me gjithë rrethanat e limituara, shoh plot aspekte ku mund ta zgjeroj shërbimin.»

Edi shpjegon si e ka inkurajuar shkolla: «Ishte si një përqafim i ngrohtë nga vetë Sovrani i universit; sikur më preku lehtë në sup e më tha: ‘Vazhdo para! Unë jam me ty, të dua dhe kujdesem për ty!’»

Gjatë këtij viti janë programuar edhe më shumë shkolla virtuale. Marrim zemër kur shohim që Jehovai po e arsimon popullin e tij, pavarësisht se çfarë po ndodh në botë. Na vijnë ndër mend fjalët e Jobit: «Ja, Perëndia madhërohet falë fuqisë së tij. E ku ka mësues si ai?!»—Jobi 36:22.

Fotot më poshtë tregojnë instruktorë dhe studentë në vende të tjera që, po njësoj, kanë nxjerrë dobi nga shkolla virtuale për pionierë.

ARGJENTINË: Studentët përdorin një sfond virtual që të demonstrojnë një formë shërbimi joformal në transportin publik

KAMERUN: Vëlla Gaj Leitoni, instruktor i shkollës për pionierë dhe misionar që ka shërbyer në Kamerun për 12 vjet, i tregon klasës një kopje të Rrotullave të Detit të Vdekur gjatë mësimit për përkthimin e Biblës

GREQI: Vëlla Takis Pantúlasi, mbikëqyrës qarkor që shërben në kongregacionet në qendër të Greqisë, duke dhënë mësim në shkollën e pionierit

ITALI: Një nga 5 shkollat e pionierit në anglisht, që u mbajtën në Itali

MEKSIKË: Disa që ndoqën shkollën e pionierit, përdorën librin e ri në gjuhën tzotzile, e cila flitet kryesisht në shtetin e Çiapasit. Kjo ishte klasa e parë e mbajtur e gjitha në gjuhën indigjene tzotzile

SRI-LANKË: Vëlla Nishanta Gunavardana dhe e shoqja, Shiromala, që shërbejnë si pionierë specialë, duke ndjekur shkollën

TANZANI: Vëlla Uilliam Bundala, plak në Zanzibar, ulur në oborrin e shtëpisë së tij ku kap më mirë interneti