Kalo te përmbajtja

Qendra Memoriale e Kampit të Përqendrimit në Dakau dhe letra e hapur drejtuar presidentit Putin

2 QERSHOR 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

Shoqata e të mbijetuarve të Kampit në Dakau i bën thirrje Rusisë t’i japë fund përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait

Shoqata e të mbijetuarve të Kampit në Dakau i bën thirrje Rusisë t’i japë fund përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait

Një shoqatë e themeluar nga të mbijetuarit e kampit të përqendrimit në Dakau, Lagërgëmainshaft Dakau, i bën thirrje autoriteteve në Rusi t’i japin fund përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait. Në një letër të hapur drejtuar presidentit Vladimir Putin më 16 maj 2021, kjo shoqatë dënoi fushatën sistematike shtypëse të Rusisë kundër vëllezërve tanë.

Në letër shpjegohej: «Nuk ka ditë që të mos dëgjojmë për raste përndjekjeje kundër Dëshmitarëve të Jehovait nga ana e qeverisë. Shërbimi sekret i Rusisë, FSB, dhe policia, kontrollojnë e dëmtojnë shtëpitë e pjesëtarëve të këtij grupi fetar. Dëshmitarët e Jehovait sulmohen dhunshëm dhe keqtrajtohen. U jepen dënime afatgjata me burg burrave e grave. Vazhdimisht hidhen poshtë kërkesat e tyre për përmirësim të kushteve në burg dhe për liri me kusht.»

Letra mbyllej me këtë koment: «Ju kërkojmë t’i garantoni çdo banori të Federatës Ruse të drejtën kushtetuese për të ushtruar lirisht fenë e tij. Ju lutemi, jepini fund kësaj padrejtësie!»

Deri në maj të 2021-shit, në Rusi ishin 61 Dëshmitarë të burgosur për shkak të besimit. Ndër ta edhe të moshuar si motër Valentina Baranovski, 70 vjeçe, e cila aktualisht po vuan dënimin me 2 vite burg. Në korrik 2020 ajo pësoi hemorragji cerebrale. Më 24 maj 2021 një gjykatë hodhi poshtë apelimin e saj dhe të djalit të saj, Roman Baranovskit, i cili po vuan dënimin me 6 vite burg.

I vlerësojmë shumë fjalët e njerëzve të drejtë e të paanshëm të cilët i shohin padrejtësitë që po u bëhen motrave e vëllezërve tanë në Rusi dhe bëjnë thirrje publikisht që t’u jepet fund. Mbi të gjitha, e dimë se Jehovai do ta shpëtojë popullin e vet.—Danieli 12:1.