15 PRILL 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE
Të rinjtë Dëshmitarë gjejnë mënyra të reja për të predikuar gjatë pandemisë
Të rinjtë tanë anembanë botës janë të vendosur të vazhdojnë të predikojnë dhe t’u japin zemër motrave e vëllezërve gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në Zelandën e Re, njerëzit vendosin lodra, arushë dhe vizatime nëpër dritare që fëmijët t’i shohin kur bëjnë shëtitje aty rrotull. Duke e parë këtë si mundësi për të predikuar, disa të rinj nga kongregacione të ndryshme kanë vënë në dritare vizatime me Danielin dhe Sarën ku shkruajnë «Na shihni në jw.org».
Emilia, një nëntëvjeçare në Zvicër me një sistem imunitar të dobët, u shkroi letra atyre që jetojnë në një shtëpi për të moshuarit ku tani nuk lejohen më vizita. Bashkë me këto letra ajo dërgonte vizatime me Noenë dhe arkën. Emilia shpjegonte se edhe Noeja me familjen dikur ishin të izoluar, por ai izolim u mbrojti jetën. Ajo i nxiti «të qëndronin brenda, si Noeja». Kur të mbarojë pandemia, Emilia ka qejf të shkojë t’i takojë vetë të moshuarit.
Me disa që iu përgjigjën pozitivisht, ajo filloi të këmbente letra. Një gazetar vendës dëgjoi për Emilinë dhe shkroi një artikull për të.
Pejton dhe Ela Kemfi, dy motra të vogla në Ontario, Kanada, flasin vazhdimisht me vëllezërit e motrat në këtë kohë pandemie. I ati, Xharedi, shpjegon: «Gjatë adhurimit familjar, vajzat na ndihmuan të bënim një listë me ata që donim të kontaktonim.» Mamaja, Xhesika, shton: «Duam t’i mësojmë vajzat se është e rëndësishme t’i sigurojmë vëllezërit e motrat, si edhe familjarët e miqtë, që nuk i kemi harruar.»
Po kështu, në Kolorado, SHBA, Stela nëntëvjeçare me mamanë menduan të flitnin me të moshuarit në kongregacion. Bënë një listë dhe i morën në telefon një e nga një.
Dy vëllezër, Xhonatan dhe Shon MekKempsoni, 12 dhe 15 vjeç, bashkë me prindërit shërbejnë në një kongregacion të gjuhës kineze në Arizonë. Çdo mëngjes para se të fillojë shkolla, ata predikojnë duke shkruar letra në gjuhën kineze. Për këtë u duhet shumë kohë dhe përpjekje meqë akoma nuk e kanë mësuar mirë gjuhën. Ama janë të vendosur t’u japin mesazhin e Biblës atyre që flasin gjuhën kineze.
Gjashtë fëmijë të moshave 2 deri 15 vjeç shkonin rregullisht në një shtëpi për të moshuarit në perëndim të Miçiganit, bashkë me mamanë dhe një motër pioniere. Mirëpo, për shkak të pandemisë së koronavirusit, autoritetet i kanë ndaluar vizitat atje. Tani, prindërit u dërgojnë të moshuarve regjistrime të fëmijëve teksa këndojnë këngë Mbretërie dhe lexojnë vargje nga Bibla. Një terapist që punon atje i tha babait të fëmijëve se një nga videot e qetësoi një të moshuar që u mërzit shumë kur pa në lajme sa veta kishin vdekur nga koronavirusi.
Jemi të sigurt se Jehovait i bëhet zemra mal ndërsa sheh përpjekjet e këtyre të rinjve për të gjetur mënyra si të tregojnë dashuri për të tjerët dhe t’i japin lavdi Atij.—Psalmi 148:12, 13.