Kalo te përmbajtja

6 NËNTOR 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE

U japin lajmin e mirë vizitorëve gjatë Kupës së Botës për Femra FIFA 2023

U japin lajmin e mirë vizitorëve gjatë Kupës së Botës për Femra FIFA 2023

Nga data 20 korrik deri më 20 gusht 2023, mbi 2 milionë veta ndoqën turneun e futbollit për femra, Kupa e Botës FIFA 2023, që u zhvillua në disa qytete të Australisë dhe të Zelandës së Re. Gjatë kampionatit, rreth 1.200 vëllezër e motra morën pjesë në një iniciativë speciale predikimi në 9 qytete të këtyre 2 shteteve. Të paktën 18 veta kërkuan të studionin Biblën.

Dy vajza nga India u afruan te një stendë në Sidnei, Australi, dhe vunë re tabelën ku ofrohej falas një kurs i Biblës. Ato pyetën motrat se ku mund ta ndiqnin këtë kurs, dhe motrat i shpjeguan se kushdo mund të ketë një mësues personal për të bërë kursin e Biblës. Më tej i treguan se mund të kërkonin që dikush t’i vizitonte duke skanuar kodin QR në broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë. Të dyja vajzat plotësuan menjëherë formularin online, dhe secila nisi një studim të Biblës.

Një çift Dëshmitarësh nga Brisbeini, Australi, i ofruan ndihmë një vajze të re që dukej se kishte humbur rrugën. Ajo u shpjegoi se po përpiqej të gjente hotelin ku rrinte. Me mirësi, çifti u ofrua ta ndihmonte. Gjatë rrugës, vajza u tha se vinte nga Papua Guineja e Re. U kënaq kur mori vesh se edhe çifti kishte jetuar më parë në Papua Guinenë e Re. Kështu nisi një bisedë e bukur dhe pastaj shkëmbyen informacionet e kontaktit. Më vonë, çifti la takim me vajzën që ta shëtitnin pak nëpër qytet dhe shfrytëzuan rastin t’i tregonin për të vërtetën e Biblës. Kur u kthye në vendin e saj, e reja pranoi të studionte Biblën.

Në Oklend, në Zelandën e Re, një motër që quhet Terina filloi të bisedonte me dy roja që flisnin gjuhën punjabe në një parking publik. Një rojë tjetër u ndërpreu bisedën dhe nisi të fliste në gjuhën punjabe me dy burrat. Motra jonë kishte merak mos ai po i qortonte, ngaqë po flisnin gjatë orarit të punës. Për habinë e saj, ai i shpjegoi se po përkthente për burrat. Roja shtoi: «Më pyetën çfarë është Bibla dhe unë u thashë se është një libër nga Perëndia. E kam mirë?» Pasi i konfirmoi se kishte të drejtë, Terina i tregoi secilit prej rojave si mund të kërkonin një studim të Biblës në gjuhën e tyre nëpërmjet sitit jw.org.

Një burrë nga Kolumbia që quhet Nikolas u afrua te një nga stendat e literaturës në Brisbein, Australi, dhe pyeti për mbledhjet tona. Ai u tregoi se mamaja dhe gjyshërit e tij ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe e kishin nxitur të ndiqte mbledhjet. Vëllezërit te stenda morën masa që një Dëshmitar nga kongregacioni i gjuhës spanjolle të fliste me të. Brenda një ore, një vëlla spanjishtfolës kontaktoi Nikolasin dhe e lanë që, po atë fundjavë, të ndiqnin së bashku kongresin rajonal «Prisni me durim!»

Jemi të lumtur që vëllezërit e motrat në Australi dhe në Zelandën e re patën mundësinë të ‘shkëlqenin si ndriçues’ duke u folur të tjerëve për lajmin e mirë të Mbretërisë gjatë këtij eventi.—Filipianëve 2:15.