Kalo te përmbajtja

19 GUSHT 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE

Uragani Debi shkakton përmbytje të mëdha në bregun lindor të Amerikës së Veriut

Uragani Debi shkakton përmbytje të mëdha në bregun lindor të Amerikës së Veriut

Në fillim të gushtit 2024, mbi oqeanin Atlantik u krijua një stuhi tropikale që shpejt u fuqizua dhe u shndërrua në një uragan, uragani Debi. Pastaj, më 5 gusht 2024, ky uragan i kategorisë 1 goditi Stainhaçin, Florida, SHBA, me erëra që shkuan deri në 130 kilometra në orë. Veç kësaj, uragani krijoi të paktën 12 tornado përgjatë shtegut që përshkoi. Erërat e furishme dhe shirat e rrëmbyera lanë pa energji elektrike qindra mijë veta. Në Shtetet e Bashkuara mbetën të vrarë të paktën 8 veta.

Nga atje, Debi, që u dobësua dhe u kthye në një stuhi të fuqishme tropikale, avancoi dalëngadalë në veri, drejt Kanadasë. Të premten, më 9 gusht 2024, në provincën kanadeze të Kuebekut, ranë 22 centimetra shi brenda 24 orëve. Shirat e rrëmbyera përmbytën shtëpi, dëmtuan infrastrukturën në disa zona të provincës dhe detyruan qindra veta të evakuoheshin drejt zonave më të sigurta. Sipas raporteve, në Kanada ka humbur jetën 1 person.

Situata e vëllezërve dhe e motrave

Shtetet e Bashkuara

  • Asnjë vëlla ose motër nuk ka humbur jetën

  • 1 lajmëtar është shtruar në spital

  • 23 lajmëtarë janë evakuar

  • 7 shtëpi pësuan dëme të mëdha

  • 60 shtëpi pësuan dëme të vogla

  • 1 Sallë Mbretërie pësoi dëme të vogla

Kanada

  • Asnjë vëlla ose motër nuk ka humbur jetën. Megjithatë, me keqardhje njoftojmë se një student i Biblës humbi jetën nga rrëshqitja e dheut

  • 1 lajmëtar u dëmtua

  • 23 lajmëtarë u evakuan, por tani shumica janë kthyer në shtëpitë e tyre

  • 2 shtëpi pësuan dëme të mëdha

  • 165 shtëpi pësuan dëme të vogla

  • Asnjë Sallë Mbretërie nuk është dëmtuar ose shkatërruar

Ndihma në rast katastrofash

  • Mbikëqyrësit qarkorë dhe pleqtë vendës në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada po u japin zemër nga Shkrimet dhe ndihmë praktike atyre që janë prekur nga kjo katastrofë

  • Në Kanada, është ngritur një Komitet Ndihme në Rast Katastrofash, i cili po siguron ndihmën e nevojshme

Vazhdojmë të lutemi për ata që janë prekur nga kjo stuhi e fuqishme. Gjithashtu marrim zemër nga siguria se Jehovai do të jetë gjithmonë «shpëtimi ynë në kohë vuajtjesh».—Isaia 33:2.