Kalo te përmbajtja

Vëlla Aleksandër Ursu

4 DHJETOR 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Vëllai 80-vjeçar Aleksandër Ursu flet për një jetë plot qëndrueshmëri

Vëllai 80-vjeçar Aleksandër Ursu flet për një jetë plot qëndrueshmëri

«Jehovai u kujdes për ne në të shkuarën dhe e di që do të kujdeset edhe sot.»

Vëlla Aleksandër Ursu, atëherë 78 vjeç, që jeton në Xhankoi, Krime, doli në oborr që të përshëndeste të birin, Viktorin. Ishte mbrëmja e 15 nëntorit 2018. Aleksandri u habit kur pa një dritë tamam prapa portës së shtëpisë. Ai eci me kujdes drejt dritës. Papritur dëgjoi dikë të bërtiste: «Stop! Policia!»

Aleksandri mendoi se disa miq po bënin shaka me të, por shpejt kuptoi se nuk ishte shaka. Një burrë me maskë i kapi krahët dhe ia mbërtheu fort pas shpine, duke i shkaktuar dhembje. Një burrë tjetër me maskë e qëlloi me grusht në nofull. Gjashtë agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) të armatosur me mitralozë kontrolluan nga koka te këmbët Aleksandrin dhe Viktorin, pastaj bastisën shtëpinë.

Nina, bashkëshortja e Aleksandrit, ishte në kuzhinë kur agjentët hynë me forcë. Një prej tyre ia mori nga dora telefonin dhe e pyeti se çfarë po shikonte. Ata kërkuan në shtëpi për orë të tëra, por nuk gjetën asnjë botim të përfshirë në listën ruse të materialeve ekstremiste.

Vëlla Aleksandër Ursu me gruan, Ninën, në vitin 2020

Vëllanë tonë të moshuar nuk e arrestuan. Megjithatë, Aleksandri dhe gjithë Dëshmitarët e tjerë në Rusi dhe në Krime çdo ditë janë të vetëdijshëm se policia mund t’u bastisë shtëpitë dhe t’i arrestojë në çdo moment. Për t’ia dalë mbanë në këtë realitet të pasigurt, ai mediton për shembujt e besnikërisë në familjen e tij, si dhe për eksperiencat e veta gjatë përndjekjes nën sundimin sovjetik.

Më 6 korrik 1949, kur Aleksandri ishte 9 vjeç, ushtarët sovjetikë hynë me forcë në shtëpinë e tij në mes të natës dhe ia kthyen përmbys. Ua flakën përtokë të gjitha gjërat dhe u thanë të fillonin t’i paketonin. Ai kujton: «Kur ushtarët nuk e kishin mendjen, mamaja futi mes gjërave ca nga botimet tona, ndër to edhe librin Harpa e Perëndisë.» Ushtarët e çuan gjithë familjen te stacioni i trenit.

Plot guxim, familja e Aleksandrit bashkë me Dëshmitarë të tjerë në tren, kënduan këngë Mbretërie rrugës për në shtëpinë e re, Siberi. Ata ishin ndër mijëra vëllezërit e motrat që u internuan në Siberi ndërmjet viteve 1949 dhe 1951.

Gjatë viteve 50, vëllezërit në Siberi takoheshin fshehurazi nëpër ferma, që të mbanin mbledhjet. Disa familje ecnin deri në 20 kilometra për të mbërritur në mbledhje.

Aleksandri nxori dobi nga shembujt e besnikërisë në familjen e tij. Stërgjyshi nga ana e të atit, Makari; gjyshi, Maksimi; xhaxhai i babait, Vladimiri; dhe i ati, Pjotri, ishin shembuj të jashtëzakonshëm të qëndrueshmërisë me besnikëri.

Fotoja majtas, sipas akrepave të orës: vëlla Aleksandër Ursu mban në prehër të birin, Viktorin; bashkëshortja e tij, Nina; e ëma, Nadezhda; i ati, Pjotri, mban në prehër Dinën (të bijën e Aleksandrit). Fotoja djathtas: vëlla Vladimir Ursu, vëllai i gjyshit të Aleksandrit nga ana e babait, Maksimit. Vladimiri dhe Maksimi vdiqën besnikë në burg

Më 1944 të atin e Aleksandrit e dënuan me 10 vite burg, ngaqë nuk pranoi të kryente ushtrinë. U kthye në shtëpi pas tri vitesh burg, sepse mbeti i paralizuar për shkak të një frakture në shtyllën kurrizore. Aleksandri kujton që i ati i tregonte histori nga Bibla për Davidin, Goliadin dhe miqësinë e Davidit me Jonatanin.

Ai sjell ndër mend: «Vladimiri, xhaxhai i babait, e dëgjonte rregullisht radion WBBR dhe merrte botime të bazuara në Bibël. Në ato ditë ishte e jashtëligjshme të mbaje radio, ndaj xhaxhai ndërtoi një bunker ku ai dhe të interesuarit mund të ishin të sigurt e t’i dëgjonin rehat programet radiofonike të WBBR-së.»

Gjatë viteve 40 një person gjoja i interesuar zbuloi vendndodhjen e bunkerit. Xhaxhanë dhe gjyshin e Aleksandrit i arrestuan dhe i burgosën në Kotin, në perëndim të Ukrainës, gati 80 kilometra nga fshati i tyre.

«Gjyshja e bënte rrugën më këmbë deri në burg, që t’i vizitonte. Ajo na thoshte se falë besimit të tyre, nuk e kishin humbur gëzimin, edhe pse e kishte dalluar që i rrihnin vazhdimisht.» Mjerisht, edhe xhaxhai, edhe gjyshi i Aleksandrit vdiqën në burg.

Aleksandri kujton: «Akoma nuk e dimë çfarë ndodhi me ta, si i trajtuan, si vdiqën dhe ku i varrosën. Por marrim zemër kur dimë se mbetën besnikë ndaj Jehovait deri në vdekje.»

Shembulli i familjarëve që ishin besnikë ndaj Jehovait dhe përvoja në Siberi e përgatitën Aleksandrin për përndjekjen e tanishme. Ai thotë: «Jam mësuar me bastisjet nga autoritetet, sepse kështu kanë bërë që kur isha fëmijë. Jehovai u kujdes për ne në të shkuarën dhe e di që do të kujdeset edhe sot.»

Aleksandri vazhdon: «Edhe studimi i përditshëm i Biblës dhe meditimi për të, pjesëmarrja e rregullt në mbledhje dhe komunikimi me vëllezërit e motrat më ndihmojnë të qëndroj besnik në këtë periudhë.»

Përveç këtyre lexon rregullisht për sprovat e vëllezërve të tjerë që janë përndjekur dhe merr forcë nga guximi i tyre. Ai shprehet: «Lexova çfarë kanë thënë disa vëllezër në komentet e tyre të fundit para gjykatësve. Dëshmia e tyre plot guxim po përmbush fjalët profetike të Jezuit: ‘Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve e mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.’»—Mateu 10:18.

Vëllezërit e motrat po qëndrojnë besnikë, madje janë forcuar edhe më shumë falë mbështetjes së dashur të Perëndisë Jehova. Ata janë një dëshmi e gjallë se këto fjalë të frymëzuara të Davidit janë të vërteta: «Ata që gjejnë strehë te [Jehovai], do të gëzojnë, plot hare do të brohorasin përherë.»—Psalmi 5:11.