Kalo te përmbajtja

30 PRILL 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Vëllezërit e motrat në gjithë botën ngushëllojnë ata që janë prekur nga pandemia vdekjeprurëse

Vëllezërit e motrat në gjithë botën ngushëllojnë ata që janë prekur nga pandemia vdekjeprurëse

Ndonëse shërbëtorët e Jehovait janë treguar të përgjegjshëm dhe i kanë respektuar masat mbrojtëse gjatë kësaj krize shëndetësore, disa prej tyre kanë humbur jetën. (Eklisiastiu 9:11) Mjerisht, deri tani në gjithë botën kanë vdekur 872 vëllezër e motra si pasojë e COVID-19. Bashkadhuruesit u kanë ofruar menjëherë mbështetje e ngushëllim të pikëlluarve. (1 Korintasve 12:26) Ç’është më e rëndësishmja, të gjithë po mbështeten te Jehovai, i cili e mban përherë premtimin që tregohet te Filipianëve 4:7 për të na dhënë ‘paqen e Tij’.

Çifti Unytcer

Një nga motrat që po marrin mbështetje nga organizata e Jehovait është Hanshen Unytceri, një pioniere speciale në Bolzano, në veri të Italisë. Mjerisht, burri i saj, vëlla Manfred Unytceri, vdiq nga koronavirusi më 28 mars 2020. Ai shërbeu afro 58 vjet në shërbimin special të plotkohor, nga të cilat 54 vjet me të shoqen. Të dy kaluan 25 vjet në veprën qarkore. Pothuajse 1.000 vëllezër e motra nga disa shtete u lidhën nëpërmjet videokonferencës për të ndjekur ceremoninë e varrimit.

Motra Unytcer thotë: «U jam shumë mirënjohëse vëllezërve e motrave! Nuk më kanë lënë kurrë vetëm, madje as për një orë. Më kanë mbuluar me dashuri! Janë kujdesur për mua emocionalisht, fizikisht dhe më kanë dhënë zemër nga Bibla. I dua shumë të gjithë.»

Vëllezërit e motrat po i japin zemër edhe një çifti të pikëlluar, Maria Hoze Monkadës dhe të shoqit, Darvinit. Ata shërbejnë në fushën e gjuhës kiçua në zonat malore të Ekuadorit. Mjerisht, prindërit e motër Monkadës vdiqën me gjashtë ditë diferencë nga njëri-tjetri. Mamaja e saj, Fabiola Santana Xhordani, 56 vjeçe, shërbente si pioniere e rregullt, dhe i ati, Rikardo Xhordani, 60 vjeç, ishte shërbëtor kongregacioni në kongregacionin e Praderas në Guajakuil. Edhe dy vëllezërit e Marisë u sëmurën me COVID-19, por u shëruan.

Çifti Monkada duke ndjekur Përkujtimin e vdekjes së Jezuit

Thellësisht e pikëlluar, motër Monkada donte të shkonte pranë familjes, katër orë larg, që t’i mbështeste dhe t’i ndihmonte me përgatitjet e funeralit. Mirëpo, pas shumë lutjesh, vendosën se nuk ishte e mençur të shkonin në Guajakui dhe u lidhën me të afërmit nëpërmjet videokonferencës. Ajo shpjegon: «Po të shkonim atje, do të rrezikonim shëndetin tonë dhe të të tjerëve.»

Motër Monkada thotë se ka ndier «dhimbje dhe ankth» të thellë. Ama, bashkë me të shoqin kanë vazhduar të adhurojnë Jehovain dhe «i janë lutur atij pa pushim për t’i kërkuar drejtim». Ata bënë përgatitjet për Përkujtimin e vdekjes së Jezuit duke ftuar studentët e Biblës dhe duke lexuar fragmente nga Bibla që flasin për ditët e fundit të Jezuit në tokë. Gjithashtu predikonin me anë të letrave dhe ndiqnin mbledhjet e kongregacionit me videokonferencë. Nëntë nga të afërmit e motër Monkadës, që nuk janë Dëshmitarë, pranuan ftesën dhe ndoqën me videokonferencë Përkujtimin në spanjisht.

Maria thotë: «U inkurajuam pa masë që studentët e Biblës bënë çmos të lidheshin elektronikisht për Përkujtimin, edhe pse nuk e kishin të lehtë. Veç kësaj ishte një surprizë shumë e bukur të shihja të afërmit që u lidhën nga shtete të tjera.»

Ajo shton: «Kjo përvojë na ka mësuar që sado e dhimbshme të jetë një situatë, mënyra më e mirë për ta kapërcyer, është të vazhdojmë të adhurojmë Jehovain. Kështu nuk i presim udhën bekimeve të tij.»

Vëllezërit e motrat anembanë botës bashkohen me dhimbjen e atyre që kanë humbur njerëzit e dashur për shkak të pandemisë. Do të vazhdojmë të lutemi për ata që po vuajnë. Ndërkohë mezi presim kohën kur Jehovai do të zhdukë çdo gjë që na shkakton dhimbje, si pandemitë, dhe do të ringjallë të gjithë shërbëtorët e tij besnikë.—1 Korintasve 15:21, 22.