Kalo te përmbajtja

Një vëlla mbi kanoe në lumin Malavi po shkarkon materialin video të mbledhjes

29 DHJETOR 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Vëllezërit në zona të thella tregohen kreativë dhe bëjnë shumë përpjekje për të mbajtur mbledhjet

Vëllezërit në zona të thella tregohen kreativë dhe bëjnë shumë përpjekje për të mbajtur mbledhjet

Gjatë kësaj pandemie, shumë kongregacione anekënd botës po përdorin forma të ndryshme të teknologjisë për të mbajtur mbledhjet. Por disa nga vëllezërit tanë jetojnë në zona të thella dhe s’kanë shumë mundësi të përdorin internetin. Ndaj u është dashur të bëjnë përpjekje të mëdha që të vazhdojnë të mbajnë mbledhjet, e njëkohësisht të respektojnë masat parandaluese për COVID-19. Ja disa shembuj nga Afrika.

Malavi

Shumë vëllezër e motra nuk kanë mundësi të përdorin aplikacionin Zoom pasi nuk lidhen dot me internet. Çdo javë, dega e Malavisë u dërgon videon e mbledhjes së regjistruar pleqve në secilin kongregacion, duke shfrytëzuar internetin e celularëve. Pastaj, pleqtë ua shpërndajnë videon lajmëtarëve në kongregacionet e tyre.

Mirëpo, kjo ishte e vështirë për 28 lajmëtarët në kongregacionin «Sharo», të cilët jetojnë në një zonë malore në veri të Malavisë, pranë liqenit Malavi. Meqë vargmalet e pengojnë shërbimin celular në këtë zonë, një plak duhet të udhëtojë për shumë kilometra deri sa të gjejë një vend ku sinjali është i fortë. Më pas, plaku kthehet në zonën malore dhe përshkon goxha rrugë në këmbë përmes maleve derisa të shkojë në shtëpinë e secilit Dëshmitar. Pastaj afrohet mjaftueshëm për t’ia kaluar materialin me bluetooth.

Kohët e fundit, pleqtë u gëzuan jashtë mase kur zbuluan se mund të gjenin sinjal të fortë shumë më afër, në liqenin Malavi. Vëllezërit hipin në një kanoe, lundrojnë në liqen derisa të largohen mjaftueshëm nga malet dhe shkarkojnë materialet video. Kjo u kursen shumë nga koha e udhëtimit.

Mozambik

Gjatë «vizitave» në kongregacionet që ndodhen në vende të thella në veriperëndim të Mozambikut, mbikëqyrësit qarkorë që shërbejnë në këtë zonë i mbajnë fjalimet nëpërmjet celularëve. Meqë shpesh është e pamundur një lidhje telefonike me mjaft veta njëkohësisht, mbikëqyrësit qarkorë i mbajnë fjalimet me shumë celularë të radhitur para tyre, që të mundësojnë lidhjen me çdo familje në kongregacion.

Vëlla Alik Kazaue që shërben si mbikëqyrës qarkor, po mban një fjalim. Celularët janë të lidhur me familje të ndryshme në kongregacion

Disa lajmëtarë jetojnë në zona aq të thella, sa afër shtëpisë së tyre nuk ka fare sinjal telefonik. Kur vjen koha e mbledhjes, vëllezërit e motrat ecin nëpër pyll derisa të arrijnë në një vend ku kap sinjali. Sapo e gjejnë, ulen aty dhe dëgjojnë programin.

Vëlla Johane Vinio, një mbikëqyrës qarkor në atë zonë, shpjegon se «shumë vëllezër e motra bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme që të nxjerrin dobi nga mbledhjet», dhe kjo i ndihmon të mbajnë një miqësi të ngushtë me Jehovain, pavarësisht nga izolimi. Një mbikëqyrës tjetër, vëlla Karlus Kortazao, shpjegon më tej: «Ndihemi sikur mblidhemi përsëri me vëllezërit në Sallën e Mbretërisë, komentojmë dhe këndojmë nga zemra të gjithë bashkë. E shohim qartë dorën e Jehovait teksa vazhdon të sigurojë ushqim besimforcues për popullin e tij gjatë kësaj pandemie.»—Gjoni 21:17.