19 SHKURT 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE
Veçori e re në aplikacionin JW Library Sign Language
Versioni 4 i aplikacionit JW Library Sign Language, që doli më 15 shkurt 2020, ka një veçori të re të jashtëzakonshme. Me një klikim të vetëm, ata që përdorin gjuhën e shenjave, mund të shohin referimet. Kjo do t’ua bëjë shumë më të lehtë të përgatiten për mbledhjet e kongregacionit e të bëjnë kërkime për Biblën.
Prej kohësh ata që përdorin JW Library kanë pasur mundësi të bëjnë kërkime duke klikuar vargjet e Biblës ose botimet e tjera të linkuara në një artikull, pa e humbur faqen ku po lexonin. Mirëpo, kjo ka qenë shumë e vështirë për ata që përdorin gjuhën e shenjave, sepse nuk kishin se si të kalonin direkt nga një video te referimet e saj.
Por në versionin 4 të JW Library Sign Language, referimet dalin si linqe. Me një klikim mund të hapësh referimet e një videoje e të kthehesh kollaj te videoja që po sheh.
Ja sa e lehtë është të shohësh materialet për mbledhjen e mesjavës
Jemi të sigurt se kjo veçori e re do t’u sjellë shumë dobi vëllezërve e motrave që marrin informacione vetëm në këtë gjuhë. Falënderojmë Jehovain që me anë të këtyre masave na ndihmon ta forcojmë miqësinë me të.—Psalmi 119:97.
Shih si referimi për fjalën ‘gjarpër’ te Zanafilla 3:1 të çon te Zbulesa 20:2 dhe të ndihmon të identifikosh «gjarprin e hershëm»