29 NËNTOR 2018
LAJME NDËRKOMBËTARE
Oficerët rus bastisin 8 shtëpi të Dëshmitarëve në Krime
Mbrëmjen e së enjtes, më 15 nëntor 2018, rreth 200 oficerë nga Shërbimi i Sigurimit Federal (FSB) bastisën 8 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Krime.
Nga tronditja dhe stresi i lartë që u shkaktoi mësymja e oficerëve të maskuar e të armatosur të FSB-së, 2 Dëshmitarëve iu rrit shumë tensioni dhe u shoqëruan në spital. Gjithashtu, me keqardhje raportojmë se një motër dështoi foshnjën e saj.
Gjatë bastisjes, oficerët ushtruan dhunë ndaj 78-vjeçarit Aleksandër Ursu. Pasi e ngjeshën pas murit dhe e përplasën në tokë, i vunë prangat. Gjithashtu, policia mori në pyetje disa Dëshmitarë të tjerë.
Për momentin, akuza penale janë ngritur vetëm kundër vëlla Sergei Filatovit (djathtas). Autoritetet e kanë akuzuar për shkelje të nenit 282.2, pjesa 1, të Kodit Penal rus—të cilin Federata Ruse po ia imponon gadishullit të Krimesë. Ky vëlla, 47-vjeç dhe baba i 4 fëmijëve, është Dëshmitari i parë për të cilin janë ngritur akuza në bazë të ligjit rus kundër ekstremizmit.
Megjithëse lajmet mbi bastisjet dhe përndjekjen janë burim shqetësimi për vëllezërit, me guxim i mbajmë shpresat te Jehovai, Perëndia ynë, i cili na forcon gjatë këtyre ditëve të fundit plot sprova.—Isaia 41:10.