Kalo te përmbajtja

15 MAJ 2014
LAJME NDËRKOMBËTARE

Dëshmitarët e Jehovait njoftojnë serinë e kongreseve ndërkombëtare

Dëshmitarët e Jehovait njoftojnë serinë e kongreseve ndërkombëtare

NJU-JORK—Dëshmitarët e Jehovait kanë njoftuar se do të mbajnë kongrese ndërkombëtare treditore në disa qytete të mëdha anembanë botës nga qershori i vitit 2014 deri në janar të vitit 2015. Seria e kongreseve do të fillojë në Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë në Angli, Australi, Ekuador, Greqi, Gjermani, Kore e Jugut, Meksikë dhe Zimbabve. Këto kongrese ndërkombëtare do të mbahen në të njëjtën periudhë me kongreset krahinore të mbajtura në vende më të vogla që organizohen nga Dëshmitarët çdo vit.

Seria e kongreseve ndërkombëtare do të fillojë më 6 qershor 2014 në Ford Field në Detroit, Miçigan, SHBA. Pritet që të jenë të pranishëm rreth 45.500 veta, përfshirë 2.500 delegatë nga vende të tjera.

Kongreset ndërkombëtare do të mirëpresin delegatë nga vende të tjera dhe disa do të mirëpresin edhe misionarë. J. R. Brown, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në selinë e tyre botërore në Bruklin, Nju-Jork, shprehet: «Kongreset tona ndërkombëtare janë raste mjaft emocionuese dhe festive. Mendojmë se edhe publiku do të kënaqet me ne ndërsa mblidhemi me familjen dhe miqtë në këto raste që premtojnë të jenë një seri programesh të jashtëzakonshme.»

Tema e serisë së kongreseve është: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë!» Z. Brown shpjegon se «programi do të nxjerrë në pah një temë qendrore të Biblës dhe dy bindje bazë të Dëshmitarëve të Jehovait: Mbretëria e Perëndisë u vendos më 1914 dhe Jezu Krishti është Mbreti i kësaj Mbretërie. Po, kongresi shënon njëqindvjetorin e Mbretërisë së Perëndisë».

Dëshmitarët po përgatiten për një fushatë mbarëbotërore që të ftojnë të gjithë të ndjekin kongresin në zonën ku banojnë. Ashtu siç bëhet në të gjitha mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, hyrja do të jetë e lirë dhe nuk do të mblidhen para.

Datat dhe vendet e sakta ku do të mbahen kongreset e vitit 2014 me temë «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë!», ndodhen në sitin zyrtar jw.org/sq të Dëshmitarëve të Jehovait. Gazetarët që duan të mbulojnë lajmin për kongresin, mund të kontaktojnë me zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait për emrin e zëdhënësit për mediat dhe për informacione të tjera.

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e informacionit publik, tel. +1 718 560 5000