Kalo te përmbajtja

13 MARS 2014
LAJME NDËRKOMBËTARE

Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin botimin e saporishikuar të Biblës në format të madh

Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin botimin e saporishikuar të Biblës në format të madh

NJU-JORK—Në përpjekjet e vazhdueshme për ta vënë Biblën në dispozicion të sa më shumë njerëzve, Dëshmitarët e Jehovait po nxjerrin një botim me format të madh të versionit të rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, anglisht. Ky botim, që po shtypet në Shtetet e Bashkuara dhe në Japoni, është planifikuar që tirazhin e parë ta ketë 424.000 kopje gjithsej.

Dëshmitarët e nxorën botimin e rishikuar të Përkthimit Bota e Re në format normal gjatë një mbledhjeje speciale që u transmetua më 5-6 tetor 2013, në 31 vende. Rishikimi i vitit 2013 është përditësimi më i plotë i këtij përkthimi që nga 1984-a. Më 7 tetor 2013, Dëshmitarët e vunë në dispozicion këtë përkthim të Biblës në aplikacionin JW Library, që përdoret në lloj-lloj pajisjesh elektronike. Deri tani është shkarkuar afro 1,4 milion herë. Përkthimi Bota e Re i rishikuar është në dispozicion edhe në një sërë formatesh elektronike në sitin www.pr418.com.

Në çdo format ky përkthim i rishikuar përfshin gati 60.000 referime, që e ndihmojnë lexuesin të kuptojë më mirë kontekstin e ngjarjeve biblike. Përmban edhe diagrame me ngjyra, harta të vendeve biblike dhe tabela ku ilustrohen hollësi të jetës së përditshme në kohët biblike. Një shtojcë shpjegon tema të tilla, si parimet për të përkthyer Biblën dhe historinë si u shkrua e u ruajt Bibla.

Në botimin e 1984-s të Përkthimit Bota e Re tashmë emri i Perëndisë dilte në tekst rreth 7.000 herë. Megjithatë, rishikimi i 2013-s pasqyron edhe kërkimet më të fundit se ku shfaqet emri i Perëndisë në dorëshkrimet më të lashta të Biblës. Bazuar në studime të mëtejshme të rrotullave të Detit të Vdekur dhe të dorëshkrimeve të tjera të lashta, në Përkthimin Bota e Re të rishikuar, emri hyjnor del edhe në gjashtë vende të tjera. Këto janë: Gjykatësit 19:18; 1 Samuelit 2:25; 6:3; 10:26; 23:14; 23:16. Një shtojcë shpjegon më tej përdorimin e emrit hyjnor në hebraishten dhe në greqishten e lashtë, si edhe flet për një sërë përkthimesh të Biblës në dialekte e gjuhë të sotme ku del emri hyjnor.

Dëshmitarët kanë një histori të gjatë të shtypjes, të shpërndarjes dhe të përkthimit të Biblës Bota e Re, saktësia e të cilit vlerësohet pa masë nga studiuesit. Teksti i plotë i këtij përkthimi doli në anglisht më 1961. Në vitin 1963 gazeta The New York Times raportonte se Përkthimi Bota e Re do të dilte në gjashtë gjuhë të tjera, siç u njoftua në kongresin e Dëshmitarëve që u mbajt në stadiumin «Jenki». Që atëherë, Dëshmitarët e kanë nxjerrë këtë përkthim në më shumë se 120 gjuhë. Vitet e fundit, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re vendosi ta rishikonte këtë përkthim për shkak të ndryshimeve në gjuhën moderne dhe për të qartësuar disa shprehje biblike. Kështu Bibla u bë më e lehtë për t’u lexuar e kuptuar. Përkthimi Bota e Re i rishikuar pasqyron teknikat dhe parimet e fundit për të përkthyer Biblën.

J. R. Brown, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në selinë botërore, thotë: «Sa emocionuese ishte kur doli Përkthimi Bota e Re mbi 50 vjet më parë, dhe është akoma më emocionuese të kemi në dorë botimin më të fundit të rishikuar! Qëllimi ynë është që Shkrimet e Shenjta të jenë të kuptueshme për të gjithë, falë një gjuhe të saktë, dinjitoze e të kohës.»

Zëdhënësi(t) për mediat

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000