9 TETOR 2014
LAJME NDËRKOMBËTARE
Dëshmitarët e Jehovait marrin masa për t’u mbrojtur nga epidemia e Ebolës
NJU-JORK—Teksa epidemia vdekjeprurëse e Ebolës bën kërdinë në Afrikën Perëndimore, Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë t’u japin bashkëbesimtarëve udhëzime praktike për këtë sëmundje.
Sapo mori vesh se virusi i Ebolës kishte prekur Guinenë dhe ishte përhapur në Sierra-Leone e në Liberinë fqinje, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë menjëherë u dërgoi letra të gjitha kongregacioneve në të tria shtetet për t’i paralajmëruar për rrezikun. Përveç udhëzimeve e sugjerimeve të siguruara nga institucionet qeveritare vendëse, letrat përmbanin edhe shpjegime për rreziqet e virusit, mënyrën e transmetimit dhe masat paraprake për parandalimin e tij. «Ngaqë njerëzit në këto zona nuk kanë mjaft njohuri për sëmundjet, dhe thashethemet për burimin e Ebolës ishin përhapur shumë, fillimisht ata nuk dinin çfarë të bënin,—thotë Collin Attick, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Sierra-Leone.—Por kur pjesëtarët e kongregacioneve dëgjuan udhëzimet në Sallën e Mbretërisë, u treguan të gatshëm t’i ndiqnin menjëherë.»
Në korrik, përfaqësues udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait nisën të bënin vizita speciale dyditore në çdo kongregacion të Sierra-Leones dhe Guinesë. Gjatë vizitave mbajtën një fjalim me temë «Bindja të shpëton jetën», me synimin që t’i ndërgjegjësonin për masat praktike kundër sëmundjes dhe t’i nxitnin t’u përmbaheshin vazhdimisht udhëzimeve më të fundit. Këto vizita do të vazhdojnë deri në fund të nëntorit 2014. Përveç këtyre, Dëshmitarët në Guine, Liberi dhe Sierra-Leone kanë bërë të mundur që në hyrje të vendeve të adhurimit (të njohura si Salla të Mbretërisë) të gjithë të lajnë duart me ujë të përzier me klor. Shumica e Dëshmitarëve në këto shtete po ndjekin të njëjtën metodë edhe në shtëpitë e tyre.
Sipas një raporti nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të datës 1 tetor 2014, numërohen 7.178 të infektuar dhe mbi 3.330 viktima nga përhapja e tanishme e Ebolës në Afrikën Perëndimore, megjithëse pritet që numrat të rriten. Deri më 2 tetor raportohej se nga 2.800 Dëshmitarët në Guine dhe Sierra-Leone, një Dëshmitare infermiere mori virusin dhe vdiq më 25 shtator 2014. Nga 6.365 Dëshmitarët në Liberi, 10 kanë vdekur si pasojë e sëmundjes, 6 prej të cilëve ishin punonjës shëndetësie. Ndonëse virusi është përhapur edhe në Nigeri kohët e fundit, asnjë nga Dëshmitarët atje nuk e ka marrë. As ndonjë misionar në këto shtete nuk raportohet të jetë infektuar, sepse ndërkohë që virusi përhapej, shumë prej tyre ishin me pushime ose duke ndjekur kongreset në Evropë e në Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit disa prej tyre janë rikthyer në caktim e po ndjekin masat e nevojshme parandaluese dhe udhëzimet e zyrës së degës vendëse. Misionarë të tjerë janë ende në pritje për shkak të kufizimeve të fluturimit ose vështirësive të tjera.
Komitetet e ndihmës me vullnetarë Dëshmitarë po ndihmojnë Dëshmitarët vendës të plotësojnë nevojat e familjeve të tyre e të bashkëbesimtarëve në ato shtete të Afrikës Perëndimore që janë goditur më rëndë nga Ebola. «Duke ndjekur parimet e Biblës në lidhje me pastërtinë dhe karantinën, e kemi më të lehtë ta përballojmë situatën,—thotë Thomas Nyain, Sr., një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Liberi.—Si Dëshmitarë të Jehovait, ne shmangim edhe zakonet jobiblike të varrimit. Kjo po shërben si mbrojtje për gjithë bashkëbesimtarët tanë, sidomos në këto kohë kritike.»
Në një njoftim të transmetuar në një radio lokale në Sierra-Leone theksohej se si Dëshmitarët e Jehovait ndihmonin bashkëbesimtarët dhe të tjerët në komunitet të shmangnin virusin e Ebolës. Autoritetet atje kërkuan edhe që komitetet e ndihmës të Dëshmitarëve të ndihmojnë institucionet qeveritare në rajon.
«Marrim zemër kur shohim bashkëbesimtarët tanë në Afrikën Perëndimore që tregojnë kujdes teksa vazhdojnë aktivitetet frymore dhe veprën e arsimimit biblik, për aq sa është e mundur,—pohon J. R. Brown, zëdhënës ndërkombëtar pranë selisë botërore të Dëshmitarëve në Nju-Jork.—I mendojmë dhe i kujtojmë në lutje vëllezërit e motrat tona në besim dhe të tjerët teksa përballojnë pasojat e virusit të Ebolës.»
Zëdhënësi(t) për median:
Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e informacionit publik, tel. +1 718 560 5000
Guine: Thierry Pourthié, tel. +224 631 40 96 50
Liberi: Thomas Nyain, Sr., tel. +231 886 513 414
Nigeri: Paul Andrew, tel. +234 7080 662 020
Sierra-Leone: Collin Attick, tel. +232 77 850 790