Kalo te përmbajtja

LAJME NDËRKOMBËTARE

Burgosen për shkak të besimit—Krime

Burgosen për shkak të besimit—Krime

Kundërshtimi i ashpër i autoriteteve ruse ndaj Dëshmitarëve të Jehovait po fillon të ndikojë edhe në Krime. Në Rusi, qeveria jo vetëm që ka ndaluar entet tona ligjore, por edhe ka treguar qartë se synon të shkatërrojë adhurimin tonë paqësor. Që kur ndaluan veprën në prill të vitit 2017, autoritetet ruse kanë bastisur disa mbledhje të Dëshmitarëve në gjithë Rusinë. Për pasojë shumë prej tyre i kanë arrestuar dhe burgosur. Të njëjtat taktika të egra po përdoren kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Krime.

Bastisjet e para në masë në Krime ndodhën më 15 nëntor 2018, në Xhankoi, kur mbi 200 policë dhe forca speciale bastisën 8 shtëpi private ku mblidheshin grupe të vogla të Dëshmitarëve që flitnin për Biblën. Të paktën 35 policë të maskuar e të armatosur hynë me forcë në shtëpinë e Sergei Filatovit, ku ishin mbledhur 6 Dëshmitarë, të cilët u terrorizuan. Policët përplasën në mur një 78-vjeçar, pastaj e shtrinë përtokë, e prangosën dhe e rrahën aq keq sa iu desh ta çonin me urgjencë në spital. Edhe dy të moshuar të tjerë u traumatizuan aq shumë, sa u desh që t’i çonin në spital, ngaqë iu rrit tensioni jashtë mase. Mjerisht, një grua e re së cilës iu bastis shtëpia, dështoi foshnjën e saj.

Pas bastisjes, z. Filatov e akuzuan penalisht se kishte shkelur nenin 282.2(1) të Kodit Penal Rus, sepse kishte organizuar veprimtari të një «organizate ekstremiste». Më 5 mars 2020, gjykata krahinore në Krime dënoi z. Filatov me 6 vite burg. Atë e çuan menjëherë në burg.

Pas bastisjeve në Xhankoi më 2018, policë të forcave speciale vazhdojnë të hyjnë me forcë në shtëpitë e Dëshmitarëve që janë të dyshuar për aktivitete ekstremiste. Bastisja më e fundit ndodhi më 22 maj 2023. Në 6.30 të mëngjesit, mbi 10 oficerë, 5 prej të cilëve ishin të armatosur, hynë në një shtëpi në Feodosa. Ata i urdhëruan Dëshmitarët të shtriheshin përtokë ndërsa kontrolluan shtëpinë për më tepër se 3 orë. Një Dëshmitar e arrestuan dhe e çuan për ta marrë në pyetje në Sevastopol.

Për shkak të bastisjeve të shtëpive dhe të proceseve penale e të dënimeve që pasuan, aktualisht në burg ka 9 Dëshmitarë që po vuajnë dënime deri në 6 vjet e gjysmë burg. Të gjithë janë akuzuar se nxitin aktivitetet e një organizate ekstremiste.

Tabelë kronologjike

  1. 17 shtator 2024

    Aktualisht në Krime janë të burgosur 9 Dëshmitarë të Jehovait.

  2. 22 maj 2023

    Forcat ligjzbatuese bastisin një shtëpi ku jetojnë Dëshmitarë në Feodosa. Konfiskojnë pajisjet elektronike dhe arrestojnë një Dëshmitar.

  3. 5 gusht 2021

    Kontrollojnë 8 shtëpi të Dëshmitarëve. Arrestojnë Aleksandër Dubovjenkon dhe Aleksandër Litviniukun.

  4. 1 tetor 2020

    Autoritetet bastisin 9 shtëpi në Sevastopol. Igor Shmidin e arrestojnë dhe e futin në paraburgim.

  5. 4 qershor 2019

    Forcat speciale bastisin 10 shtëpi në Sevastopol. Më vonë, z. Stashevski e akuzojnë për organizim të veprimtarive ekstremiste.

  6. 20 mars 2019

    Forcat speciale bastisin 8 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Alupkë dhe në Jaltë. Z. Gerasimov e morën në pyetje dhe pastaj e akuzuan për organizim të veprimtarive ekstremiste.

  7. 15 nëntor 2018

    Mbi 200 policë dhe forca speciale bastisën 8 shtëpi në Xhankoi, përfshirë dhe atë të z. Filatov.