Kalo te përmbajtja

(Majtas) Ndër hapat praktikë për të mbrojtur veten është të mbajmë pastër sipërfaqet që preken shpesh në shtëpi dhe në Sallën e Mbretërisë; (qendër) në disa zona të prekura lajmëtarët mund të predikojnë në mënyra të tjera, si për shembull me telefon; (djathtas) në zona ku ka shpërthyer virusi, në varësi të rrethanave, pleqtë u krijojnë mundësi lajmëtarëve t’i shohin në shtëpi mbledhjet e regjistruara

3 MARS 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Përditësim dhe masa parandaluese për koronavirusin

Përditësim dhe masa parandaluese për koronavirusin

Selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait po e monitoron nga afër përhapjen e sëmundjes së re nga koronavirusi (që njihet si COVID-19). Nga profecia e Biblës e dimë se sëmundjet e murtajat janë karakteristikë e ditëve të fundit. (Luka 21:11) Ndaj, kur përhapet një epidemi, është e mençur të marrim masa paraprake që të mbrojmë veten dhe të tjerët.—Proverbat 22:3.

Disa mund të pyesin si po ia dalin vëllezërit dhe motrat në zonat e prekura. Përhapja e COVID-19 ka ndikuar shumë në zyrat e degëve dhe në kongregacionet e Italisë, të Japonisë, të Koresë së Jugut dhe të vendeve të tjera. Në disa raste, zyrës së degës i është dashur të anulojë vizitat nga jashtë Bethelit. Në të tjera, qeveria ka ndaluar grumbullime të mëdha publike dhe kjo ka detyruar degët të anulojnë asambletë qarkore. Gjithashtu, në disa zona, kongregacionet kanë bërë përshtatje për predikimin dhe për mbledhjet. Pavarësisht nga vështirësitë, vëllezërit tanë vazhdojnë të forcojnë besimin dhe të inkurajojnë njëri-tjetrin.—Juda 20, 21.

Në situata të tilla, vëllezërit kanë parë se parimet e mëposhtme janë praktike. Ato mund të të ndihmojnë ty dhe familjen tënde nëse një sëmundje e tillë përhapet në zonën ku jetoni.

  • Mos u alarmo. Edhe pse është mirë që të jemi syçelë ndaj epidemive dhe të marrim masa të arsyeshme parandaluese, nuk duhet të veprojmë në bazë të frikës, por të fakteve.—Proverbat 14:15; Isaia 30:15.

  • Ndiq rekomandimet dhe udhëzimet e qeverisë. Shpesh autoritetet paralajmërojnë dhe vendosin kufizime që të mbrojnë njerëzit. Është mirë të jemi të përditësuar me këto informacione dhe t’u bindemi udhëzimeve të tyre.—Romakëve 13:1.

  • Mbaj higjienë të mirë. Është jetësore të lash duart me ujë e me sapun ose të përdorësh dezinfektues duarsh me bazë alkooli. Duhet të mbajmë pastër edhe sipërfaqet që preken shpesh në shtëpinë tonë dhe në Sallën e Mbretërisë. Gjithashtu, ekspertët mjekësorë këshillojnë të mos u japim dorën të tjerëve, pasi mund të ndikojë në përhapjen e sëmundjes. Për sa i përket koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka siguruar këshilla të mëtejshme për publikun.

  • Trego dashuri për të tjerët. Të gjithë e dimë sa e rëndësishme është të marrim pjesë në mbledhje dhe në shërbim. Por nëse je sëmurë, më mirë të rrish në shtëpi që të mos infektosh të tjerët. Kështu tregojmë dashuri për vëllezërit dhe motrat dhe për ata që s’janë Dëshmitarë.—Mateu 22:39.

  • Përshtatu me ndryshimet e përkohshme në kongregacion. Në zona ku është përhapur sëmundja mund të jetë e nevojshme që zyra e degës të anulojë përkohësisht mbledhjet e kongregacionit, asambletë dhe aktivitete të tjera teokratike. Kështu ka ndodhur në disa vende ku virusi është përhapur më tepër, si për shembull në disa rajone në Itali, Japoni dhe Korenë e Jugut. Në varësi të rrethanave të vendit, pleqtë u krijojnë mundësi lajmëtarëve që t’i shohin në shtëpi mbledhjet e regjistruara. Gjithashtu, lajmëtarët mund të predikojnë me anë të telefonave, mesazheve, email-eve ose letrave.