27 SHTATOR 2018
LAJME NDËRKOMBËTARE
Sllovakia shfajëson Martin Borin 90 vjet pas dënimit
Më 18 shtator 2015, një gjykatë në Sllovaki shfajësoi Martin Borin, i cili ishte paditur penalisht ngaqë refuzonte shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Ky vendim u mor 90 vjet pas dënimit të vëlla Borit, dhe është rasti i vetëm që një gjykatë ka shfajësuar një person kaq shumë vjet pas dënimit.
Burgoset për shkak të guximit
Martini filloi të merrte pjesë në aktivitetet e Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, në 1920-n, kur ishte 17 vjeç. Më 1924-n i erdhi thirrja për ushtar, por bindjet e tij e nxitën të mos pranonte të përfshihej në asnjë aktivitet ushtarak dhe të mos bënte betimin ushtarak. Si pasojë, oficerët vunë në pikëpyetje gjendjen e tij mendore dhe kërkuan vlerësim të saj. Mjeku pa që vëlla Bori nuk ishte i sëmurë mendërisht dhe u shpreh se «bindjet e tij fetare nuk bazohen në iluzione».
Meqë Martini ishte mirë mendërisht, më 2 prill 1925 gjykata vendosi që refuzimi i shërbimit ushtarak nga ana e tij përbënte krim të rëndë. Ky bashkëshort i ri në moshë tregoi guxim kur gjykata e dënoi me 2 vjet burg që do të përfshinte trajtim mizor, si izolim dhe ushqyerje të pamjaftueshme. Megjithatë, vëlla Martini nuk e kreu gjithë dënimin. Më 13 gusht 1926 e liruan për sjellje të mirë.
Vendimi i GJEDNJ-së i hap rrugën shfajësimit
Vëlla Bori vdiq më 7 janar 1985. Për herë të parë familjarët e tij paraqitën një kërkesë për shfajësimin e tij në vitin 2004, por kërkesa iu mohua. Shtatë vjet më vonë i kërkuan sërish një gjykate në Bratislavë të rishqyrtonte çështjen. Kjo ndodhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi për çështjen e rëndësishme Bajatjani kundër Armenisë se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron personat që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Mjerisht, pavarësisht nga baza e fortë ligjore që vendimi kundër Martinit të shfuqizohej, kërkesa nuk dha rezultat sepse gjykatat e vendit nuk morën një vendim përfundimtar. Do të duhej një çështje tjetër e ngjashme që gjërat të ndryshonin.
Një vendim tejet i rëndësishëm: Çështja Vajda
Si Martin Bori, edhe Imrik Vajda ishte Dëshmitar i Jehovait që nuk pranoi shërbimin ushtarak. Ai u dënua në vitin 1959 dhe në vitin 1961, në kohën e regjimit komunist. Më 13 mars 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Sllovakisë e shpalli të pafajshëm sipas ligjit çekosllovak nr. 119/1990. Ky ligj është bërë për dobinë e personave që janë dënuar padrejtësisht në kohën e komunizmit. Në çështjen e Imrik Vajdës, për herë të parë, Gjykata Kushtetuese pohoi se Sllovakia duhej të zbatonte vendimin që mori GJEDNJ-ja për çështjen Bajatjani. Shtoi se amnistia dhe rehabilitimi janë masa ligjore të domosdoshme për ata që ishin dënuar si kriminelë ngaqë nuk kishin pranuar shërbimin ushtarak.
Falë vendimit pozitiv për çështjen Vajda, familja e Martin Borit mund të bënte kërkesë pranë një gjykate në Bratislavë që Martini të shpallej i pafajshëm. Më 18 shtator 2015 gjykata e pranoi kërkesën dhe shfuqizoi vendimin e dikurshëm. Kështu, 90 vjet pas dënimit dhe 30 vjet pas vdekjes, Martin Bori u shfajësua nga krimi i refuzimit të ushtrisë për arsye ndërgjegjeje.
Vendimi i GJEDNJ-së për çështjen Bajatjani dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen Vajda kanë ndihmuar në ndreqjen e një padrejtësie që vazhdonte prej kohësh. Deri tani, 51 Dëshmitarë të Jehovait, shumica të dënuar në vitet 1948-1989, janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat sllovake.