Kalo te përmbajtja

24 SHTATOR 2018
LAJME NDËRKOMBËTARE

Pasojat e tajfunit Manghut

Pasojat e tajfunit Manghut

Për shumë ditë, tajfuni Manghut ka bërë kërdinë në perëndim të Oqeanit Paqësor dhe në Detin e Kinës Jugore. Më poshtë paraqiten raportet e degëve që po kujdesen për vëllezërit e motrat në zonat e prekura nga kjo katastrofë.

Mikronezi: Më 10 shtator 2018, tajfuni Manghut goditi ishullin Rotë, në veri të Ishujve Mariane. Është stuhia më e fortë që ka ndodhur në Rotë që nga viti 2002. Jemi të lumtur të raportojmë se asnjë Dëshmitar nuk është lënduar dhe se Salla e vetme e Mbretërisë që gjendet në ishull nuk është dëmtuar. Vetëm një vëlla është shpërngulur përkohësisht, derisa shtëpia e tij të riparohet. Që nga ajo ditë, mbikëqyrësi qarkor ka vizituar ishullin për të dhënë inkurajim.

Filipine: Më 15 shtator 2018, tajfuni Manghut (i njohur në vend si Ompong) goditi Bagaon, në provincën e Kagajanit, Filipine. Kjo është stuhia më e fuqishme që ka ndodhur këtë vit në Filipine. Deri tani numri i viktimave ka arritur në 81.

Mjerisht, një motër nga Bengeti ka humbur jetën dhe 4 vëllezër janë lënduar. Sipas raporteve të para, 938 shtëpi të vëllezërve janë dëmtuar dhe 15 janë rrënuar totalisht. Po ashtu, kanë pësuar dëme të paktën 28 Salla Mbretërie, njëra prej të cilave pothuajse është shkatërruar nga një rrëshqitje dheu. Janë ngritur 4 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK), në Bagujë, Kauajën, Laoag dhe në Tugegarao, që po kujdesen për nevojat e vëllezërve dhe po u japin ngushëllim e inkurajim nga Bibla. Në ditët e ardhshme, një anëtar i komitetit të degës do të vizitojë vëllezërit që t’u japë inkurajim.

Hong-Kong: Më 16 shtator 2018, Manghuti goditi Hong-Kongun. Zyra e degës dhe godina ku jetojnë bethelitët kanë pësuar dëme minimale. Dy shtëpi të Dëshmitarëve kanë pësuar dëme të konsiderueshme: njëra nga një pemë që i ra sipër dhe tjetra nga era e fortë që shkuli çatinë, ndërsa disa shtëpi të tjera janë dëmtuar nga uji. Një KNRK në Hong-Kong po kujdeset për nevojat e ngutshme të vëllezërve.

I kemi në mendje dhe në lutje bashkëbesimtarët e prekur nga tajfuni Manghut. Marrim zemër kur vihemi në dijeni se bashkadhuruesit tanë po ndihmojnë vëllezërit në nevojë. Familja jonë e besimit është një bekim i vërtetë nga Jehovai.—Proverbat 17:17.