28 MARS 2018
LAJME NDËRKOMBËTARE
Fushata e letrave për Rusinë—Dëshmi e unitetit global të Dëshmitarëve të Jehovait
Të martën më 21 mars 2017 Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait ftoi vëllazërinë ndërkombëtare të shkruante letra apeli për zyrtarët më të lartë të Federatës Ruse, të cilët kërcënonin të ndalonin veprimtarinë tonë në mbarë vendin. Edhe pse nuk e dimë me siguri sa letra arritën në duart e autoriteteve ruse, disa nga ata që shkruan, morën një letër zyrtare në përgjigje të kërkesës së tyre. Ndonëse qeveria ruse vendosi të mos ua vinte veshin këtyre kërkesave të bëra plot respekt dhe keqpërdori autoritetin e saj për të sulmuar mënyrën e adhurimit të vëllezërve, fushata ishte një dëshmi e jashtëzakonshme e unitetit mbarëbotëror të organizatës së Jehovait. Gjithashtu ishte një provë e qartë edhe për bashkëbesimtarët në Rusi se e gjithë vëllazëria është gati t’u bëhet krah.—1 Pjetrit 2:17.
Shumë Dëshmitarë bënë përpjekje të mëdha për të marrë pjesë në këtë fushatë. Në disa vende, letrat drejt Rusisë kushtojnë goxha, ja pse vëllezërit e motrat që janë më mirë nga ana ekonomike, kontribuan me bujari që edhe ata me pak të ardhura, të merrnin pjesë në fushatë. Në raste të tjera, lajmëtarët i dërguan letrat nëpërmjet miqve që jetojnë në vende ku posta kushton më pak. Shumë vëllezër e motra u mblodhën për t’i shkruar letrat si familje ose si kongregacion dhe i dërguan të gjitha bashkë. Kështu, jo vetëm paguan më pak për postën, por fushata u kthye në një rast të paharrueshëm besimforcues.
Fushatën e mbështetën edhe punonjësit e postës. Për shembull, menaxheri i një zyre postare në Barankilë, Kolumbi, u shpreh: «Kam mbetur pa fjalë nga uniteti mbarëbotëror që ju karakterizon dhe nga mënyra si u bashkuat për një kauzë me vlerë siç është kjo çështje në Rusi. E marr me mend se ajo që po ndodh këtu në Barankilë, po ndodh edhe në çdo cep të botës. Ky mesazh do të jetë tejet i përhapur, në një shkallë globale dhe shpresoj të bëjë jehonë.» Në Anseong, Koreja e Jugut, drejtori i një zyre postare hapi një sportel të veçantë për Dëshmitarët e Jehovait, e madje u dha falas vëllezërve një zarf për dërgesa ndërkombëtare.
Jaroslav Sivulski, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait, shpjegon: «Kur vëllezërit në Rusi morën vesh se Trupi Udhëheqës kishte nisur një fushatë globale për të shkruar letra për ta, e dinin se, pavarësisht nga vendimi i gjykatës, nuk ishin vetëm në besim.»
Mark Sandersoni i Trupit Udhëheqës, tha: «Kjo fushatë me letra tregoi si kurrë më parë se populli i Jehovait është një. Teksa shkojmë gjithnjë e më thellë drejt fundit të këtij sistemi, uniteti do të jetë jetësor për mbijetesën tonë. Dhe, ndërsa shohim si i drejton Jehovai gjërat në Rusi, ne do të bëjmë të pamundurën për të ndihmuar vëllezërit tanë. Gjithashtu do të vazhdojmë t’i përgjërohemi Jehovait të gjithë bashkë, të sigurt se Perëndia ynë do të kujdeset për vëllezërit tanë në çdo aspekt.»—Psalmi 65:2.
Austri
Bolivi
Bosnjë-Hercegovinë
Danimarkë
Ekuador
Gjermani
Ganë
Guatemalë
Indonezi
Japoni
Nepal
Rumani
Ruandë
Sllovaki
Spanjë
Sri-Lankë
Zvicër
Tanzani
Zambie