Kalo te përmbajtja

20 MARS 2014
LAJME NDËRKOMBËTARE

Vdes Guy H. Pierce, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait

Vdes Guy H. Pierce, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait

NJU-JORK—Guy H. Pierce, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait në selinë e tyre botërore në Bruklin, Nju-Jork, vdiq të martën më 18 mars. Ai ishte 79 vjeç.

Z. Pierce shërbeu në disa komitete që mbikëqyrin aktivitete të Dëshmitarëve dhe veprën e tyre ndërkombëtare të arsimimit biblik. Përgjegjësitë që kishte në organizatë kërkonin të udhëtonte shpesh, dhe këto raste i shfrytëzonte që t’u jepte zemër Dëshmitarëve të Jehovait anekënd botës. Me gjithë ngarkesën që kishte, njihej si njeri që nuk ishte kurrë tepër i zënë për të dëgjuar ata që kishin nevojë për ndihmë a këshillë. I bënte të ndiheshin rehat me buzëqeshjen e ngrohtë dhe ndjenjën e lezetshme të humorit. Shokët e tij më të afërt vinin re se bënte për vete njerëz të formimeve a kulturave të ndryshme. Në një fjalim gjatë një programi diplomimi të shërbëtorëve në kohë të plotë, z. Pierce dha këshilla për pika në të cilat ai vetë shkëlqente: «Jini të vendosur për parimet e drejta, por edhe elastikë. Mos përçmoni askënd në caktimin tuaj vetëm ngaqë vjen nga një kulturë tjetër.»

Guy Hollis Pierce lindi në Auburn, Kaliforni, më 6 nëntor 1934. U pagëzua si Dëshmitar i Jehovait më 14 gusht 1955 kur ishte 20 vjeç. U martua me një bashkëbesimtare, Penelope (Penny) Wong, më 30 maj 1977, dhe së bashku rritën fëmijë. Z. dhe znj. Pierce u bënë mësues të Biblës në kohë të plotë (që Dëshmitarët i quajnë pionierë të rregullt). Më vonë ai u bë shërbëtor udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait, e vizitonte kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, që të inkurajonte mësuesit e tjerë të Biblës në kohë të plotë dhe pjesëtarët e kongregacioneve. Në vitin 1997, çiftin Pierce e ftuan të shërbente në kohë të plotë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara. Më 2 tetor 1999 u njoftua se z. Pierce ishte anëtar i ri i Trupit Udhëheqës.

Më 5 e 6 tetor 2013, z. Pierce ishte drejtues i mbledhjes së 129-të vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Këtë ngjarje e ndoqën 1.413.676 veta gjithsej në 31 shtete, ose në vendin e mbledhjes, ose nëpërmjet transmetimit në web. Sipas sitit zyrtar të Dëshmitarëve, kjo ishte mbledhja më e madhe e deriatëhershme e Dëshmitarëve të Jehovait.

Përveç gruas së tij, Penny, z. Pierce la pas gjashtë fëmijë, disa nipa e mbesa si edhe stërnipër e stërmbesa. Kujtohet me dashuri nga Dëshmitarët e Jehovait përreth botës që ai i quante familjen e vet.

Anëtarët e Trupit Udhëheqës që shërbyen bashkë me të komentuan për «besimin e tij të fortë dhe qëndrimin e palëkundur në përkrahje të ligjeve e parimeve të Jehovait». Më tej shtuan: «Kujtimet për guximin dhe besnikërinë që shfaqi gjatë jetës këtu në tokë do të vazhdojnë të jenë burim force për ne në vitet që do të vijnë.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000