15 NËNTOR 2019
NEPAL
Dy Dëshmitare të Jehovait në Nepal që u arrestuan padrejtësisht, lirohen nga burgu
Më 4 nëntor 2019, motrat Tirtha Maja Gale dhe Pushpa Gemera u liruan me kusht pasi bënë mbi një muaj burg nga tre muaj që ishin dënuar. Ato u arrestuan vetëm se praktikonin besimin, një e drejtë që mbrohet nga ligji i Nepalit dhe nga ligji ndërkombëtar.
Fiks një vit më parë i arrestuan ngaqë flitnin rrugës me njerëz që kishin interes për Biblën. Ato ndenjën 13 ditë në rajonin e policisë. Pasi paguan një garanci jashtëzakonisht të shtrenjtë, 100.000 rupi nepalezë (rreth 930 dollarë amerikanë), autoritetet i lanë të lira. Mirëpo, hetimi kundër tyre vazhdoi.
Më 10 dhjetor 2018 nisi procesi penal kundër tyre që vazhdoi për rreth dhjetë muaj. Më 25 shtator 2019 Gjykata e Krahinës së Rupandehit dënoi secilën me nga 3 muaj burg dhe i gjobiti me 2.500 rupi nepalezë (rreth 23 dollarë amerikanë).
Gjyqtari i shpalli fajtore se i nxitnin njerëzit të ndryshonin fenë, thjesht sepse mbanin literaturë fetare dhe e shpërndanin. Meqë Nepali është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, qeveria duhet të sigurohet që qytetarët e saj të jenë të lirë të ndryshojnë bindjet fetare dhe të flasin për to si publikisht, edhe privatisht. Veç kësaj, motrat Gale dhe Gemera nuk po detyronin askënd të ndryshonte fe, thjesht po u jepnin literaturë kujt donte të dëgjonte. Për këtë arsye, më 31 tetor 2019 avokatët e motrave apeluan pranë Gjykatës së Lartë. Kjo Gjykatë tha se motrat nuk duhej të qëndronin në burg ndërkohë që çështja ishte në proces. Prandaj i liruan dhe tani presin vendimin përfundimtar.
Lutemi që Jehovai të vazhdojë të derdhë frymën e tij mbi motrat tona, Gale dhe Gemera, e t’u japë forcë, gëzim e paqe ndërsa presin vendimin e gjykatës.—Romakëve 15:13.