Kalo te përmbajtja

17 QERSHOR 2015
NEPAL

Dëshmitarët e Jehovait bashkërendojnë ndihmat për të prekurit nga tërmeti në Nepal

Dëshmitarët e Jehovait bashkërendojnë ndihmat për të prekurit nga tërmeti në Nepal

KATMANDU, Nepal—Dëshmitarët e Jehovait nga Bangladeshi, Gjermania, India, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra po bashkërendojnë ndihmat për të prekurit nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Nepalin më 25 prill 2015, i cili u mori jetën mijëra vetave, përfshirë një Dëshmitare me dy fëmijët e saj. Më 12 maj 2015, në Nepal ra një tërmet tjetër. Gjithsesi, Dëshmitarët konfirmojnë se asnjë pjesëtar i tyre nuk u lëndua rëndë, nuk pati dëme materiale të mëdha dhe as humbi jetën nga tërmeti i dytë.

Dëshmitarë të Jehovait u japin ushqim dy herë në ditë bashkadhuruesve dhe të prekurve të tjerë nga katastrofa.

Të nesërmen pas tërmetit të parë, përfaqësues nga zyra e Dëshmitarëve të Jehovait në Nepal donin të kuptonin nevojat e personave të prekur, prandaj vizituan çdo kongregacion në Luginën e Katmandusë, një zonë që u godit rëndë nga tërmeti. Tërmeti kishte shkatërruar 38 shtëpi të Dëshmitarëve dhe kishte dëmtuar 126 të tjera. Ata që ishin shpërngulur, ishin strehuar në shtëpitë e bashkadhuruesve, në Salla Mbretërie, që janë vende të tyre të adhurimit, dhe në tenda të ngritura në fushë. Gjithashtu, zyra e Nepalit nisi të shpërndante ushqim, i cili shumë shpejt u pasua nga ndihmat e Bangladeshit, të Indisë dhe të qyteteve nepaleze Birganç, Damauli, Mahendranagar dhe Pokharë. Një Komitet Ndihme në Rast Katastrofash po bashkërendon ndihmën e vazhdueshme të vullnetarëve Dëshmitarë nga India, Japonia dhe Nepali për të ndërtuar strehime të përkohshme.

Vullnetarë nga zyra e Dëshmitarëve të Jehovait në Nepal magazinojnë ndihmat që kanë ardhur nga qyteti Birganç, Nepal.

Ruben Thapalija, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Nepal, thotë: «Jemi të shqetësuar jo vetëm për nevojat fizike të të prekurve nga kjo katastrofë, por edhe për mirëqenien e tyre shpirtërore. Përveçse jemi përpjekur të sigurojmë ushqim, ujë dhe strehim, jemi angazhuar edhe për të dhënë inkurajim nga Shkrimet.» Një përfaqësues i selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, Geri Bro, përshkoi gjithë rajonin e prekur më 2-5 maj 2015 e vizitoi kongregacione dhe familje. Më 4 maj 2015, z. Bro foli gjatë një programi biblik të veçantë që iu transmetua drejtpërdrejt me anë të Internetit edhe kongregacioneve të tjera në atë rajon. Më 5 maj 2015, atje mbërriti edhe Kenxhi Çeçi, një përfaqësues i zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Japoni. Edhe ai vizitoi familjet në atë zonë dhe mbajti fjalime biblike inkurajuese.

Geri Bro (djathtas), një përfaqësues nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait, duke parë dëmet e një banese.

Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani mblodhi një ekip mjekësor Dëshmitarësh që përbëhej nga një anestezist, një kirurg, një infermier dhe një ndihmësmjek. Ai u furnizua me ilaçe nga Dëshmitarë në Bangladesh, Indi dhe Japoni, si edhe me pajisje portative për ndërhyrje kirurgjike dhe kujdes mjekësor intensiv. Ky ekip nga Evropa punoi bashkë me Komitetin e Ndihmës në Rast Katastrofash në Nepal për të kuruar pacientët te Sallat e Mbretërisë në zonën e tërmetit.

Skuadra e ndihmave e ka bazën te një Sallë Mbretërie në Katmandu, ku Dëshmitarëve të prekur nga katastrofa u ofrohet ushqim dhe strehim.

Xh. R. Braun, një zëdhënës ndërkombëtar në selinë botërorë të Dëshmitarëve të Jehovait, thotë: «Ne ofrojmë ndihmë të vazhdueshme, sepse e kuptojmë se të prekurit nga kjo katastrofë kanë edhe nevoja të tjera, përveçse ta marrin veten fizikisht pas një situate të tillë. Bashkadhuruesit tanë në Nepal dhe persona të tjerë që i kanë mbijetuar tërmetit të jenë të sigurt se do të vazhdojmë t’u ofrojmë ndihmë materiale dhe inkurajim nga Shkrimet. Ne vazhdojmë të mendojmë dhe të lutemi për ta.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: Xhejms Brauni, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Gjermani: Volfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110

Japoni: Içiki Macunaga, tel. +81 46 233 0005

Nepal: Ruben Thapalija, tel. +977 9813469616