8 PRILL 2021
NIGERI
Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin Përkthimin Bota e Re të rishikuar në gjuhën igbo
Më 4 prill 2021, në një mbledhje speciale virtuale, vëllai Keneth Kuk, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën igbo. Lajmëtarët në mbi 1.140 kongregacionet e gjuhës igbo në Nigeri u kënaqën kur morën këtë Bibël, 14 vjet pas botimit të parë Përkthimi Bota e Re në gjuhën igbo.
Ky botim do t’u vlejë më shumë se 50.000 lajmëtarëve që shërbejnë në fushën e gjuhës igbo. Do të jetë një mjet i shkëlqyer edhe për t’u predikuar rreth 40 milionë njerëzve që flasin këtë gjuhë.
Një nga përkthyesit tha: «Shënimet e shumta në Përkthimin Bota e Re e bëjnë këtë Bibël të shkruar në gjuhën e sotme tërheqëse për lexuesin. Shënimet nuk janë vetëm shpjegime të fjalëve dhe të shprehjeve hebraike e greke. Në disa raste janë sinonime të fjalëve igbo, ndërsa herë të tjera përfshijnë shprehje që t’i ndihmojnë edhe lexuesit që flasin dialekte të ndryshme të igbos, të kuptojnë tekstin.»
Vëlla Arçibong Ebiti, anëtar i Komitetit të Degës në Nigeri, komentoi: «6 përkthyes kanë punuar për 4 vjet për këtë botim. Edhe pse për shkak të pandemisë, pati vështirësi dhe vonesa të papritura, falënderojmë Jehovain që nuk ua kurseu frymën e tij të shenjtë të gjithë atyre që u përfshinë në projekt.»
Jemi të bindur se Dëshmitarët që flasin gjuhën igbo kudo në botë, do të kënaqen duke lexuar fjalë të këndshme në këtë Bibël të rishikuar. Po ashtu do ta kenë të lehtë ta përdorin për të mësuar të tjerët dhe ‘për t’ua shpjeguar udhën e Perëndisë’.—Veprat 18:26.