Kalo te përmbajtja

Një grup Dëshmitarësh të Jehovait me botime dhe me një gramafon në fillim të viteve 30

13 DHJETOR 2021
NIGERI

Dëshmitarët e Jehovait përkujtojnë 100-vjetorin e veprës në Nigeri

1921-2021: Nga fillimet e vogla në mbi 400.000 lajmëtarë

Dëshmitarët e Jehovait përkujtojnë 100-vjetorin e veprës në Nigeri

Kohët e fundit, Dëshmitarët e Jehovait në Nigeri mbajtën dy evenimente speciale për të përkujtuar 100-vjetorin e veprës së arsimimit nga Bibla në këtë vend. Më 12 dhjetor 2021, të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri u ftuan për të ndjekur një program të regjistruar paraprakisht me fjalime dhe intervista për historinë e veprës së predikimit atje. Programi u transmetua nëpërmjet streaming në gjuhët efike, angleze, igbo, në gjuhën nigeriane të shenjave, pixhine (Afrika Perëndimore) dhe në jorube. Pak ditë më parë, më 10 dhjetor 2021, ata hapën një ekspozitë speciale në zyrën e degës atje. Aktualisht, kjo ekspozitë mund të vizitohet vetëm nga ata që shërbejnë në degën e Nigerisë, por në të ardhmen do të hapet edhe për vizitorë të tjerë.

Vëlla Uilliam Brauni «i Biblës» (majtas) me disa motra e vëllezër vendës dhe misionarë përpara zyrës së degës në vitin 1948

Ekspozita, që titullohet «100 vjet plot guxim», tregon historinë emocionuese të predikimit me guxim dhe të besimit të fortë të Dëshmitarëve në Nigeri. Ajo nxjerr në pah kurajën që shfaqën Dëshmitarët atje, pavarësisht nga ndalimi i botimeve, talljet publike dhe nga lufta civile e pamëshirshme. Kësaj historie i japin jetë elementet interaktive audio e video dhe objektet historike origjinale. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin rritjen e veprës në Nigeri, nga dhjetori i vitit 1921, kur pak të interesuar ndiqnin klasat e studimit të Biblës në Lagos, deri në ditët tona, kur më shumë se 400.000 lajmëtarë po predikojnë në çdo cep të vendit.

Dëshmitarët në Nigeri dhe në mbarë botën marrin guxim kur shqyrtojnë shembullin e vëllezërve besnikë në Nigeri gjatë 100 viteve të kaluara.—Gjoni 16:33.