Kalo te përmbajtja

Vëllezër e motra në Nigeri duke u gëzuar me prezantimin e Shkrimeve të Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhët edo (majtas) dhe esane (djathtas)

28 DHJETOR 2023
NIGERI

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhët edo dhe esane

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhët edo dhe esane

Për 2 fundjavë radhazi, anëtarë të Komitetit të Degës në Nigeri prezantuan Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në 2 gjuhë vendëse. Të dy prezantimet ndodhën gjatë kongreseve rajonale të vitit 2023 «Prisni me durim!», që u zhvilluan në qytetin e Beninit dhe në Agbor, Nigeri. Më 8 dhjetor 2023, vëllai Arçibong Ebiti mbajti fjalimin ku u prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën edo. Pastaj, më 15 dhjetor 2023, vëllai Malkom Holls i prezantoi në gjuhën esane. Te të dyja programet, auditorit iu shpërndanë kopje të shtypura. U vunë në dispozicion edhe formatet audio dhe elektronike.

Edo

Gjatë prezantimit të Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhën edo, ishin të pranishëm 1.678 veta. Përllogaritet se rreth 2 milionë njerëz flasin gjuhën edo anembanë botës. Mbi 900 vëllezër e motra që flasin gjuhën edo shërbejnë në 23 kongregacione në Nigeri. Në vitin 2014, u formua një skuadër përkthimi në kohë të plotë. Po atë vit, në sitin tonë jw.org, u vunë në dispozicion botime në gjuhën edo.

Ndonëse ekzistojnë përkthime të Biblës në gjuhën edo, ato mezi gjenden dhe janë të kushtueshme. Shumë prej përkthimeve e heqin emrin e Jehovait dhe përdorin një gjuhë të vjetër, prandaj është e vështirë që njerëzit që flasin këtë gjuhë, të kuptojnë mesazhin e Biblës. Motra Pejshëns Izevbua, që është 74 vjeçe dhe i ka shërbyer Jehovain për më shumë se 50 vjet, tha: «Jam shumë e lumtur tani që kam në duar Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën edo. Nuk e përshkruaj dot sa e gëzuar jam!»

Esane

Mbi 692 veta ishin të pranishëm kur dolën Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën esane. Mbi 1 milion njerëz flasin gjuhën esane në Nigeri. Aktualisht, ka 640 vëllezër e motra që flasin këtë gjuhë dhe 10 kongregacione.

Ky është përkthimi i parë i plotë i Shkrimeve të Krishtere Greke që është botuar ndonjëherë në gjuhën esane. Para se të dilte, shumë vëllezër e motra që flisnin gjuhën esane, përdornin Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në anglisht. Duke folur për shprehjen «këtë thesar në enë balte» te 2 Korintasve 4:7, një motër tha: «Kujtoj që kur e lexoja atë varg në anglisht, nuk e kuptoja plotësisht se çfarë donte të thoshte. Por, në Përkthimin Bota e Re në gjuhën esane përkthehet kështu: ‘Edhe pse jemi si enë balte, Perëndia na dha këtë shërbim të çmuar.’ Tani e kam më të qartë idenë e vargut dhe me prek më thellë në zemër. Ç’dhuratë e bukur!»

Gëzojmë bashkë me vëllezërit e motrat tanë që morën Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në këto 2 gjuhë dhe lutemi që ata të ndihmojnë edhe të tjerë të fitojnë «njohurinë e saktë për të vërtetën».—1 Timoteut 2:3, 4.