22 SHKURT 2023
NIGERI
Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhët pixhine (Afrika Perëndimore) dhe urhobo
Më 12 shkurt 2023, vëllai Xhefri Uinder, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhët pixhine (Afrika Perëndimore) dhe urhobo. Programin, i cili u transmetua virtualisht për kongregacionet, e panë 559.326 veta gjithsej. Menjëherë pas prezantimit, Biblat mund të shkarkoheshin në format elektronik. Kopjet e shtypura do të jenë në dispozicion më vonë gjatë vitit 2023.
Kongregacioni i parë i gjuhës pixhine (Afrika Perëndimore) u formua në vitin 2015. Tani në Nigeri ka mbi 1.100 kongregacione të gjuhës pixhine (Afrika Perëndimore). Kongregacione të kësaj gjuhe ka edhe në vende të tjera, të tilla si Anglia dhe Shtetet e Bashkuara. Më përpara, kongregacionet mund të përdornin vetëm versionin në anglisht të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Një vëlla tregon: «Në të kaluarën ishte disi e çuditshme t’u predikoje njerëzve në gjuhën pixhine, por t’ua lexoje Biblën në anglisht. Ndonjëherë, i zoti i shtëpisë nuk arrinte ta kuptonte ku donim të dilnim me atë që i lexonim. Tani edhe do të predikojmë në gjuhën pixhine, edhe Biblën do ta lexojmë në këtë gjuhë. Ngaqë do t’ua lexojmë Biblën në gjuhën e tyre, mesazhin do ta kenë më të qartë.»
Kongregacioni i parë i gjuhës urhobo u formua më 1933. Në vitin 1968, vëllezërit përkthyen broshurën e parë në këtë gjuhë me titull Jeta me shpresën për botën e re të drejtë. Që nga ajo kohë, numri i kongregacioneve të gjuhës urhobo ka arritur në 103. Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në urhobo, që përdor një gjuhë të natyrshme dhe të lehtë për t’u kuptuar, do të jetë një bekim i madh për këto kongregacione.
Lutemi që këto përkthime të ndihmojnë akoma më shumë njerëz të jenë «plot me njohuri të saktë» për Perëndinë.—Kolosianëve 1:9.