11 JANAR 2023
NORVEGJI
Një gjykatë norvegjeze pranon kërkesën e Dëshmitarëve të Jehovait për të pezulluar çregjistrimin
Më 30 dhjetor 2022, Gjykata Krahinore e Oslos pranoi kërkesën e vëllezërve për të pezulluar përkohësisht vendimin e qeverisë, që kërkon të çregjistrojë Dëshmitarët e Jehovait si komunitet fetar në Norvegji. Kërkesa ishte e nevojshme pasi Guvernatorja e Qarkut të Oslos dhe të Vikenit shpalli vendimin për të anuluar regjistrimin tonë si fe zyrtare. Falë urdhrit të gjykatës do të mbetemi fe e regjistruar derisa çështja të shqyrtohet më tej në gjyq. Ministria për Fëmijët dhe për Familjet ka dalë kundër vendimit të gjykatës.
Vendimi i gjykatës krahinore u sjell dobi të menjëhershme vëllezërve e motrave, ku përfshihen edhe disa çifte të fejuarish. Në Norvegji, vetëm anëtarët e një feje të regjistruar ligjërisht janë të autorizuar nga qeveria që të celebrojnë martesa. Ndaj, kur qeveria shpalli se do t’i çregjistronte Dëshmitarët e Jehovait, kjo nënkuptonte se Dëshmitarët nuk do të ishin më të autorizuar për këtë gjë. Megjithatë, falë këtij urdhri, të fejuarit mund të martohen në një Sallë Mbretërie vendëse dhe të celebrohen nga një Dëshmitar i Jehovait.
Vëllai André Bjornshtad dhe motra Jasmina de Andrade Montelo janë një prej çifteve të fejuara që preken direkt nga kjo çështje. Komentet e tyre u përfshinë në kërkesën e paraqitur më 28 dhjetor 2022. Vëllai Bjornshtad e pranoi se disa mund të pyesin pse qenka kaq e rëndësishme për të dhe për të fejuarën e tij të celebrohen vetëm nga një Dëshmitar i Jehovait. Ai shpjegoi: «Besimi dhe bindjet fetare janë pjesë e pandashme e njeriut. Kur këto nuk respektohen, ndihesh sikur ke humbur një pjesë të identitetit.»
Para se Norvegjia të vendoste të çregjistronte Dëshmitarët e Jehovait, qeveria na ndërpreu fondet, të cilat i kishim marrë për më shumë se 30 vjet. Fondet janë ndihmë financiare që qeveria ua jep mbi 700 feve të regjistruara ligjërisht në vend. Më 21 dhjetor 2022, Dëshmitarët e Jehovait ngritën një padi kundër qeverisë norvegjeze, duke kërkuar ndryshimin e vendimit për fondet shtetërore.
Qeveria e Norvegjisë është kundër bindjeve dhe praktikave tona të bazuara në Shkrime në lidhje me përjashtimin. Guvernatorja arriti deri aty sa u kërkoi Dëshmitarëve të Jehovait të ndryshonin masën e përjashtimit nëse donin të mbeteshin fe e regjistruar. Veprimet kundër Dëshmitarëve të Jehovait nuk bazohen në asnjë opinion ekspertësh apo vendim gjykate.
Guvernatorja tha se çregjistrimi nuk na cenonte lirinë fetare. Ama, në raste të ngjashme që lidhen me mohimin e regjistrimit tonë si organizatë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur se kjo përbën shkelje të lirisë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. a
Vëllai Jërgën Pedërsën, anëtar i Komitetit të Degës i Skandinavisë, komentoi: «Dëshmitarët e Jehovait kanë më shumë se 130 vjet që predikojnë paqësisht lajmin e mirë në Norvegji. Të drejtat dhe liritë tona themelore mbrohen nga Kushtetuta e Norvegjisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nëse gjykatat norvegjeze vendosin në favorin tonë, atëherë të drejtat dhe liritë e çdo qytetari norvegjez do të kenë themele më të forta.»