2 DHJETOR 2021
PERU
Edhe pas 75 vitesh, vepra në Peru vazhdon «të lulëzojë si një trëndafil»
Misionarët e parë të caktuar në Peru mbërritën atje në tetor të vitit 1946. Ata kuptuan se para tyre shtrihej një territor i paanë që duhej predikuar. Ai përfshinte 7 milionë banorë të shpërndarë nëpër terrenin e shumëllojshëm të Perusë që zinte një sipërfaqe prej pothuajse 1,3 milionë kilometrash katrorë. 75 vitet e fundit, qoftë në fshatrat e thellë malorë të Perusë, qoftë në qytetet e saj bregdetare, misionarët dhe lajmëtarët vendës kanë predikuar me zell. Falë përpjekjeve të tyre, shumë veta kanë përqafuar të vërtetën.
Ca vite para se në Peru të shkonin misionarët, në kryeqytetin e saj, Limë, kishin shkuar me raste Dëshmitarë të Jehovait nga Amerika e Jugut dhe u kishin dhënë literaturë njerëzve të interesuar. Ato vizita kishin dhënë fryt. Në vitin 1945, dy misionarë që shërbenin në Kili, shkuan në Limë për të pagëzuar 3 Dëshmitarët e parë në Peru.
Nga tetori i 1946-s e më tej, në Peru caktuan misionarë të stërvitur në Galad për të organizuar veprën. Ata mbajtën mbledhjen e parë me të interesuar në krahinën e Rimakut, në Limë. Teksa shtohej numri i lajmëtarëve vendës dhe i misionarëve që vinin në këtë vend, vepra e predikimit u shtri përtej Limës. Rritja vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Motër Nelina Puli është një nga misionaret e para që mbërriti në vitin 1946. Në jetëshkrimin e saj që u publikua në Kullën e Rojës, 1 mars 1957, ajo foli për rritjen në Peru. Nelina thoshte: «Nuk gjej fjalë të përshkruaj si ndihem kur shoh se vendi dikur i shkretë nisi ‘të lulëzojë si një trëndafil’.»
Motër Ajrina Maningz, e diplomuar në klasën e 54-t të Galadit që shërben ende në Peru, thotë: «Që kur kemi ardhur, kemi parë si është rritur numri i lajmëtarëve nga 7.000 veta në mbi 130.000. Për mua ka qenë privilegj të kontribuoj sadopak në këtë rritje. E gjithë kjo rritje ka qenë e mundur vetëm falë bekimit të Jehovait.»
133.170 lajmëtarët që shërbejnë aktualisht në Peru janë thellësisht mirënjohës për tërë punën që është bërë këto 75 vite. Historia teokratike e Perusë provon edhe një herë sa i vërtetë është premtimi i Jehovait tek Isaia 60:22: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm.»