Kalo te përmbajtja

17 TETOR 2019
PERU

Fushatë speciale në gjuhën ajmare në Puno, Peru

Fushatë speciale në gjuhën ajmare në Puno, Peru

Nga 1 maji deri më 31 gusht të 2019-s, dega e Perusë organizoi një fushatë speciale për t’u dhënë mesazhin e Biblës peruanëve që flasin gjuhën indigjene ajmare. Fushata pati sukses të jashtëzakonshëm. Pjesëmarrësit dhanë 7.893 botime dhe shfaqën video rreth 2.500 herë. Në fund të fushatës vëllezërit kishin filluar të studionin Biblën me 381 veta.

Në Peru, rreth 450.000 veta flasin gjuhën ajmare. Pothuajse 300.000 prej tyre jetojnë në rajonin e Punos. Për momentin janë 331 lajmëtarë që flasin gjuhën ajmare, në 7 kongregacione dhe 8 grupe. Meqë territori i Perusë është tepër i madh krahasuar me numrin e lajmëtarëve, në fushatë morën pjesë edhe lajmëtarë nga Kili që flasin gjuhën ajmare. Që të takonin banorë që flasin këtë gjuhë, me raste vëllezërit ngjiteshin deri në 5.000 metra mbi nivelin e detit dhe predikonin në temperaturë deri në zero gradë Celsius.

Një grup lajmëtarësh eci për disa orë drejt një zone ku banorë të një qyteze aty afër po merrnin pjesë në një funeral. Ata patën mundësinë t’u tregonin nga Bibla shpresën për të vdekurit. Autoritetet vendëse dhe familja e pikëlluar i falënderuan për përpjekjet për të vajtur deri atje që t’u jepnin njerëzve këtë mesazh ngushëllues nga Bibla.

Në një zonë tjetër, vëllezërit dhe motrat gjetën një grup që mblidhej për të studiuar Biblën 2 herë në javë me librat Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë dhe Libri im i tregimeve biblike, që i kishin marrë nga një i afërm në Bolivi. Kur kuptuan se këta libra i botonte organizata jonë, shumë filluan të studionin Biblën me vëllezërit dhe të shkonin në mbledhje.

Vëlla Albert Kondori, një plak që drejtonte një nga grupet, komentoi: «Unë dhe gruaja jemi shumë të lumtur që morëm pjesë në fushatë. Besimi ynë është forcuar jashtë mase. Faktikisht, kur morëm rrugën për në qytezë, nuk ishim të sigurt si do të mbërrinim pasi udhëtimi ishte i vështirë. Kur mbërritëm, iu lutëm Jehovait që të na ndihmonte të gjenim një vend ku të rrinim dhe Ai na ndihmoi. Këto lutje më kanë dhënë shumë forcë. Po ashtu edhe besimi i vëllezërve te Jehovai.»

Vëllezërit dhe motrat janë të lumtur t’u japin të vërtetat jetëdhënëse të Fjalës së Perëndisë atyre që flasin gjuhën ajmare në Puno, Peru.—Zbulesa 22:17.